20:45 / E Mërkurë, 21 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Plagosje në Prishtinë, arrestohet i dyshuari

Një person  është plagosur mbrëmjen e sontme në rrugën ‘Vëllezërit Fazliu’ në Prishtinë. Rastin për Indeksonline e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Borovci ka thënë se informacionin për plagosje e kanë marrë rreth orës 19:30 dhe se menjëherë të gjitha njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë filluar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore operative.

“Nga rezultatet e para të veprimeve hetimore policore dyshohet për një person të plagosur nga arma e zjarrit. Në të njëjtën kohë, Policia ka arrestuar një person të dyshuar si dhe ka konfiskuar një armë e cila dyshohet të jetë armë e përdorur në këtë rast”, ka thënë Borovci.

Gjithashtu ai ka bërë të ditur se viktima është transferuar në QKUK për trajtim mjekësor dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetë.

“Policia  është duke punuar për ndriçimin dhe sqarimin e të gjitha rrethanave të rastit”, ka përfunduar ai./Indeksonline/