12:23 / E Enjte, 08 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Punëtorët e KEK-ut akuza ndaj menaxhmentit: Do ketë grevë nëse s`na i rritni pagat (Video/Foto)

Kryetari i Sindidikatës të Korporatës Energjetike të Kosovës, Rafet Osmani ka thënë se punëtorët e KEK-ut e meritojnë pagën me rritje siç u ka premtuar kryeministri Ramush Haradinaj.

Sipas Osmanit, punëtorët e KEK-ut janë gjithmonë para rrezikut për shkak të pajisjeve me të cilat punojnë, ekspozimit ndaj gazrave helmuese e pluhurit të qymyrit.

Osmani ka hedhur akuza ndaj menaxhmentit të KEK-ut, sidomos ndaj drejtorit menaxhues duke thënë se ai duhet t`i shikojë së pari shpenzimet e tij, kur thekson se duhet të shikohet buxheti që të vendoset për rritjen e pagave të punëtorëve.

Po ashtu, Osmani ka kërkuar nga Qeveria që t`u njohë përvojën e punës nga viti 1999 pensionistëve të cilët serbët i larguan nga puna në atë kohë.

“Sindikata e KEK-ut është e qëndrueshme dhe ka për qëllim mbrojtjen dhe avancimin të punëtorëve. Do të jetë çdoherë forcë e qëndrueshme dhe përfaqësuese e cila do t`ia kthejë dinjitetin punëtorëve të KEK-ut. Sindikata do jetë zë i fuqishëm në mbështetjen e punëtorëve. Punëtorët ekspozohen ndaj gazrave helmues, pluhrit të qymyrit, dhe rrezikut permanent nga pajisjet me të cilat punojmë Qeveria u ka borxh punëtorëve që t`u njihet përvoja e punës 1999 ku armiku i largoi nga vendet e tyre të punës. Ky menaxhment i KEK-ut, korporatën e kishin vetëm interes të tyre. Drejtori menaxhues i KEK-ut thotë se ne duhet ta shiqojmë vijën buxhetore se kjo kosto e rritjes së pagave a është e përballueshme. Kjo deklaratë e tij do të gjente mbështetje te sindikalistët sikur ky t`i shikonte edhe shpenzimet e veta ku pagë ka 3 mijë e 500 euro, udhëtime jashtë vendit dhe mëditje”, ka thënë ai, raporton Indeksonline.

Edhe pas kësaj proteste, Osmani ka thënë se në rast që meenaxhmenti nuk ua rritë pagat, ata do të vazhdojnë edhe me greva.

“Ne edhe pas kësaj proteste, nëse ky menaxhment nuk reflekton në kërkesat tona të drejta, ne Sindikata e re e KEK-ut në Këshillin e Përgjithshëm të rradhës do të vendosim të shkojmë në forma tjera që na lejon ligji, me grevë në vendet tona të punës”, është shprehur ai.

Ai ka deklaruar se është pikërisht menaxhmenti ai që e ka sjellë KEK-un në buzë të greminës./Indeksonline/