18:40 / E Hënë, 16 Prill 2018

Reagon PSG-ja: Nuk ka marrëveshje me Tuchelin

Nasser Al-Khelaifi, presidenti i klubit të Paris Saint Germain ka hedhur poshtë spekulimet se është arritur marrëveshja me trajnerin gjerman, Thomas Tuchel.

Mediat franceze dhe ato gjermane para një jave shkruanin se ish-trajneri i Borussia Dortmundit ka arritur marrëveshje me PSG-në dhe ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare, transmeton IndeksOnline.

Megjithatë, presidenti i parisienëve thotë se po të kishin arritur marrëveshje të tillë, ajo tashmë do të bëhej e ditur.

“Po të kishim nënshkruar me dikë, do ta kishim njoftuar. Sot kemi një trajner dhe ne jemi të ndershëm me të. Ai do të punojë deri në fund të sezonit”, ka thënë Nasser për Canal+.

Ky mund të jetë një lajm i mirë për dyshen londineze, Chelsea dhe Arsenal, të cilët janë të interesuar për trajnerin 44-vjeçar./IndeksOnline/