22:06 / E Hënë, 11 Dhjetor 2017

​Ekonomitë evropiane kritikojnë reformën amerikane mbi taksat

Ministrat e Financave të pesë ekonomive kryesore të Bashkimit Evropian, kanë shprehur shqetësime mbi reformimin e taksave të planifikuar nga Uashingtoni.

SHBA-të janë duke kaluar një reformë që sipas presidentit Donald Trump, do të sjellë shkurtimin më të madh të taksave në historinë e vendit.

Por kritikët shprehen se kjo do të rrisë borxhin e vendit dhe nuk do ta ndihmojë klasën e mesme.

Ministrat e Financave të Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Spanjës shprehën shqetësime të konsiderueshme në një letër të hapur për sekretarin amerikan të Thesarit, Steve Mnuchin, duke theksuar se “kjo mund të ketë një impakt të madh shtrembërues në tregtinë ndërkombëtare”.

Letra prej tre faqesh është nënshkruar nga ministri gjerman i Financave, Peter Altmaier, homologu i tij francez, Bruno Le Maire, kancelari britanik i Thesarit, Philip Hammond, ministri italian i Financave, Pier Carlo Padoan dhe Cristobal Montoro Romero i Spanjës.