14:23 / E Martë, 13 Nëntor 2018 / indeksADMonline

​Me çfarë pasaporte është arratisur Gruevski?!

Ish-kryeministri dhe ish-lideri i VMRO-DPMNE, Nikola Gruevski është lajmëruar nga Budapesti.

Ai këtë e ka bërë të ditur përmes profilit të tij në Facebook ku ka shkruar: “Ditëve të fundit kam pranuar një numër të madh të kërcënimeve me jetë. Unë jam në Budapest tani, dhe kam kërkuar azil politik nga autoritetet hungareze. Gjithmonë do t’i ngelem besnik kauzës për Maqedoni”, ka shkruar Gruevski në profilin e tij.

Ai njihet për lidhjet e tij me kryeministrin hungarez Viktor Orban, i cili muaj më parë e kishte ftuar për vizitë në Budapest, por kjo u pamundësua për shkak të konfiskimit të pasaportës nga organet gjyqësore. Por shtrohet pyetja se me çfarë pasaporte është arratisur ai.

Siç mëson INA nga burime të afërta partiake, ai dyshohet se posedon pasaportë bullgare, por dyshime janë për pasaportë serbe, pasi që një kohë ishte këshilltar në Qeverinë e Serbisë, para ardhjes së tij në pushtet në vitin 2006.

Gruevski orëve të fundit ishte në kërkim nga policia pas fletëarrestit të lëshuar për vuajtjen e dënimit prej 2 viteve burg për një rast korruptiv dhe keqpërdorim të detyrës.