17:55 / E Mërkurë, 20 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

​​Ja çfarë thanë Haradinaj dhe Thaçi në pritjen e fundvitit (Foto)

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ditën e tij të ngjeshur me plot aktivitete e ka përmbyllur me një pritje për fundvit.

Ftesës së Haradinajt iu kanë përgjigjur presidenti Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ministrat e tij, zëvendësministra, zyrtarë të Prokurorisë së Shtetit, ambasadorë të vendeve evropiane dhe ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, deputetë të Kuvendit të Kosovës, etj.

Në pritjen e Haradinajt nuk mungoi as kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, gjë që është e rrallë që zyrtarë të VV-së të shihen në këto ceremoni sidomos kur janë të organizuar nga Qeveria.

Haradinaj kishte dal vet në derë për t’i pritur mysafirët i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij Anita.

Duke uruar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri në tri gjuhë, shqip, serbisht dhe anglisht kryeministri i vendit tha se përpara vendit ka shumë sfida por vetëm të bashkuar mund të jenë një storie suksesi si në planin e brendshëm dhe në atë ndërkombëtar.

Ai nuk la pa përmendur nënshkrimin e kontratës me Countur Global e cila u bë sot për ndërtimin e TC Kosova e Re.

“Kemi sfida edhe trashëguese, por edhe sfida që do të na vijnë por duke qenë bashkë siç jemi sonte Kosova do të jetë storie e suksesit planin e brendshëm dhe rajonal dhe ndërkombëtar. Edhe unë po e theksoj kontratën e nënshkrimit me Countur Global me mbi një miliardë euro ky është lajm i mirë për investitorët e huaj se Kosova është vend i mirë për të investuar”, tha Haradinaj.

 

Në këtë pritje ka marr pjesë edhe presidenti Hashim Thaci i cili duke mbajtur një fjalim para të pranishmëve këtë vit e ka quajtur vit të suksesit për Kosovën.Si pikë kulminante të suksesit Thaçi e ka përmendur nënshkrimin e kontratës për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re e që sipas tij dita e sotme është historike.

“Një vit i sfidave dhe i suksesit dhe sot pata kënaqësi të pranoj raportin e punës 100 ditëshe nga kryeministri Haradinaj. Mendoj se kemi bërë punë të mirë të gjitha institucionet me të gjitha ballafaqimet apo vështirësitë që I kemi pas por mund të them se ka qenë vit i suksesit për Kosovën, viti I konsolidimit të brendshme të shtetit tonë pro edhe në rrafshin ndërkombëtar. Kulminacioni i kësaj është nënshkrimi sot për ndërtimin e Kosovës së Re për të cilin është punuar qe një dekadë”, tha Thaçi.

Kryeministri Haradinaj gjatë ditës ka pasur një varg aktivitetesh duke filluar me vizitën në KEK qysh në orën 7 të mëngjesit, pastaj  raporti 100 ditësh në mbledhjen e Qeverisë, nënshkrimi i kontratës me Countur Global, dorëzimi i raportit 100 ditor tek presidenti dhe kryetari i Kuvendit si dhe aktivitete tjera.