14:27 / E Enjte, 05 Korrik 2018 / indeksADMonline

​Abrashi: Shpend Ahmeti po ikë nga përgjegjësia si kryetar komune

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) përmes një konference për media ka drejtuar kritika ndaj qeverisjes së kryeqytetit, drejtuar nga Shpend Ahmeti i Partisë Socialdemokrate (PSD).

Arban Abrashi ish kandidat për kryetar të komunës së Prishtinës  ka thënë se Ahmeti ka disa muaj që nuk ka qenë pjesë e seancave komunale, duke ikur nga përgjegjësitë që ka si kryetar.

“Një kryetar i Komunës që nuk vjen me muaj të tërë në kuvend komunal, derisa gjen kohë për udhëtime turistike me financa të dyshimta”, tha Abrashi, që në zgjedhjet e fundit u mposht në balotazh nga Ahmeti.

Asambleistja e LDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Fiknete Bejta ka folur për Raportin e Auditimit në lidhje me punën e kryeqytetit.

Ajo ka thënë se nuk është bërë klasifikimi i vendeve të punës, duke thënë së për vendin e njëjtë të punës, jepen paga të ndryshme.

Një kritikë tjetër ka qenë se komuna e Prishtinës u ka dhënë subvencione edhe atyre që nuk janë qytetarë të Prishtinës.