13:25 / E Hënë, 09 Korrik 2018 / indeksADMonline

​Minatorët e Trepçës në grevë të përgjithshme

Minatorët e Trepçës kanë hyrë sot në grevë të përgjithshme në shenjë pakënaqësie me draft-statutin, si dhe indiferencën e institucioneve përgjegjëse të vendit me vërejtjet dhe kërkesat e tyre rreth këtij draft-statuti.

Ata u shprehën të vendosur të vazhdojnë grevën derisa të merren parasysh dhe të plotësohen të gjitha kërkesat.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, njëherësh anëtar i Bordit, Shyqyri Sadiku, ka bërë të ditur se të gjitha punët në Trepçë janë ndërprerë, përveç vendeve kyçe ku po jepet kujdestari në mënyrë që të mos rrezikohet miniera dhe pikat vitale të saj.

Sipas tij, edhe minierat e Artanës dhe Kishnicës kanë ndërprerë punën në shenjë solidarizimi me minatorët e Stantërgut. Ai potencoi se minatorët kanë kërkuar takim me ministrin e Zhvillimit Ekonomik dhe me anëtarët e Bordit të Trepçës, por deri tani s’ka ndonjë përgjigje.

Zenel Hyseni, minator, u shpreh i vendosur se pa u plotësuar kërkesat e tyre, ata nuk do të punojnë.

“Kemi kërkesat tona, ato dihen, kemi dhënë afat që disa herë dhe tash jemi të vendosur, pa u plotësuar kërkesat tona, ne nuk do të punojmë më”, tha ai për KP.

Ndryshe, minatorët gjatë muajit të kaluar kishin mbajtur për dy ditë rresht grevë njëorëshe, në shenjë pakënaqësie me draft-statutin e Trepçës dhe kërkesat tjera, si ligjin për pensionet me 70 për qind të pagës nga 50 deri 55 vjet, ligjin për invalidë, sigurimin shëndetësor, etj., duke paralajmëruar kështu grevë të përgjithshme në rast të mos përmbushjes së kërkesave.