17:17 / E Mërkurë, 21 Tetor 2020 / Blerim

​Në mungesë kuorumi nuk votohet rezoluta e VV-së për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare

Në mungesë kuorumi, Kuvendi i Kosovës ka dështuar sot të votojë rezolutën e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, përmes së cilës kërkohet nga Qeveria Hoti të vazhdojë aplikimet për anëtarësim të vendit në organizatat ndërkombëtare.

Në marrëveshjen e Uashingtonit të 4 shtatorit për normalizim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Kosova është pajtuar të ndalë aplikimet për anëtarësim në organizata të ndryshme botërore me kusht që Serbia të ndalë fushatën e saj të çnjohjeve.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli ka thënë se subjektiviteti ndërkombëtar nuk mund të fuqizohet duke suspenduar të drejtën e shtetit të Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare.

“Si fuqizohet subjektiviteti ndërkombëtar duke suspenduar të drejtën e shtetit të Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare? Ndoshta, sipas zotit Hotit ajo fuqizohet duke u bashkuar me Serbinë, duke iu bashkuar Serbisë në nismën rajonale në zonën e Novi Sadi”, tha Pacolli.

Pacolli ka shtuar se interpelanca me Avdullah Hotin po përfundon pa marrë përgjigje konkrete nga ana e kryeministrit, siç e quajti, ilegal.

“Kah fundi e kuptuam që zoti Hoti nuk paska qenë në sallë, se kur iu drejtuam, asnjëherë nuk e mori fjalën të përgjigjet në pyetjet tona, dhe në fund i tha kryetares së Kuvendin se kujt ia shtrove pyetjen, janë 50 deputetë në sallë, por nuk po e di cilit deputet. Tërë kohën zotëri Hoti, kryeministri ilegal i Republikës së Kosovës nuk paska qenë këtu. Qenka lajm i mirë, se zoti Hoti qenka duke e marrë rrugën për të ikur nga ulësja e kryeministrit”, tha ajo.

Kjo është rezoluta e deputetëve të Vetëvendosjes për të cilën nuk kishte kuorum.

1.Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare është objektiv i shprehur përmes deklaratës së pavarësisë dhe Kushtetutës së Kosovës.

2. Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria që të vazhdojë aplikimet për anëtarësimet e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare.

Obligohet Qeveria e Kosovës që brenda dy javësh t’i dërgojë Kuvendit të Kosovës planin e veprimit për përgatitjet dhe aplikimin në anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

3. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të mundësojë dhe të përdorë të gjithë mekanizmat ligjorë e kushtetues me qëllim të realizimit të anëtarësimit në organizata të ndryshme ndërkombëtare.