21:32 / E Mërkurë, 30 Tetor 2019 / indeksADMonline

​Palmer i konfirmon Ahmetit mbështetjen e SHBA-së për Maqedoninë e Veriut

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka takuar sot në Ambasadën amerikane në Shkup, Metju Palmer, zv. ndihmës sekretarin e shtetit amerikan, Daniel Konstelancik, drejtor për Ballkanin në Departamentin e Shtetit dhe ambasadoren e SHBA në Maqedoninë e Veriut, Kejt Burns.

Siç njofton BDI, Ahmeti dhe autoritetet amerikane këmbyen mendime mbi zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut, anëtarësimin në NATO si dhe zgjedhjet e parakohshme.

Ahmeti theksoi që BDI është garantues i Marrëveshjes së Prespës, asaj të Ohrit dhe marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bulgarinë nga çka nuk ka kthim pas në asnjë rrethanë.

“Lideri i BDI-së Ahmeti falënderoi autoritetet amerikane për ndihmesën e madhe në përpjekjet tona për të marrë datë për fillim të negociatave me Bashkimin Evropian, por akoma më shumë për ecurinë e shkëlqyer të anëtarësimit tonë në NATO në muajt vijues.

SHBA mbështesin tërësisht përpjekjet euroatlantike të Maqedonisë së Veriut dhe reformat në vend, në veçanti në sundimin e ligjit.

Në takim u diskutua edhe për reformat e theksuara në kuadër të Bashkimit Demokratik për Integrim si dhe rreth zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”, thuhet në njoftim.