21:43 / E Martë, 01 Janar 2019 / indeksADMonline

10 vjetori i dështuar i pavarësisë, 2018-ta me vetëm një njohje!


Më 17 shkurt të këtij viti, Republika e Kosovës mbushi plot një dekadë jetë nga shpallja shtet i pavarur, sovran dhe demokratik.

Por, në këtë përvjetor jubilar, Kosova nuk ka shumë me çka të krenohet, pasi për 12 muaj, vetëm një shtet e njohu vendin tonë si të tillë.

Diplomacia kosovare pavarësisht që krenohej sa herë që i jepej rasti që po punon në promovimin e shtetit më të ri në Evropë, dy ditë para shënimit të 10-vjetorit të pavarësisë, Kosova mori njohjen e parë dhe të vetme për këtë vit, shkruan Indeksonline.

Ishte shteti Barbados që njohu zyrtarisht Republikën e Kosovës më 15 shkurt, duke rritur në 116 numrin e shteteve që kanë njohur vendin tonë.

Kështu të paktën figuron në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme, dikaster ky që udhëhiqet nga zëvendëskryeministri, BehgjetPacolli.

Nëse bëhen krahasime të numrit të shteteve që kanë njohur Kosovën përgjatë viteve nga shpallja e pavarësisë, 2018-ta del viti më dështak në këtë drejtim, me vetëm një njohje.

Kështu, në vitin e parë të shpalljes më 2008, Kosovën e njohën 53 shtete, për të vazhduar pastaj me 11 njohje në vitin 2009, tetë në 2010-tën, 12 njohje në 2011-tën, po aq shtete e njohën Kosovën edhe gjatë 2012-tës.

Numri ra në vitin 2013, gjatë të cilit vetëm tetë shtete njohën Kosovën, pastaj katër të tjera në 2014-tën, tri në 2015-tën, dy në 2016-tën dhe po aq edhe gjatë 2017-tës.

Derisa diplomatët kosovarë në rrjete sociale shumë shpesh paralajmëronin njohje nga dhjetëra shtete të cilat i vizituan, diçka e tillë nuk ndodhi.

Madje, ministri Pacolli kishte thënë se për 100 ditët e para ka kaluar mbi 100 mijë kilometra për lobim të njohjes së shtetit të Kosovës, efektet e të cilave nuk janë parë në praktikë.

Pacolli vitin e kaluar kishte dhënë edhe një premtim gjigant për këtë çështje. Ai kishte paralajmëruar se kur të vije në qeverisje do të rris numrin e shteteve që kanë njohur Kosovën në 160, por që solli vetëm një të tillë.

Para disa javësh, Pacolli tha se ka një tentativë dhe influencë nga Serbia që njohjet e deritanishme të Kosovës të tërhiqen.

“Procesi i njohjeve është i vështirë, e jo i lehtë. Ne nuk ndalojmë. Po veprojmë me intensitet të përshpejtuar. Beogradi nuk po kursen asgjë. Synim kanë tërheqjen e njohjeve nga shtetet tjera për Kosovën. GuineaBisaos e pati tërhequr njohjen e Kosovës dhe unë personalisht u takova me presidentin e saj dhe ju thash që nuk është mirë të bëhet ajo që u bë. Kryeministri i atij vendi është shkarkuar nga posti i tij. Kështu ka ndodh edhe me Burundin…Serbia ka një potencial të madh në dorë, ato ofrojnë bursa, armatim, votën e tyre në OKB për ato shtete që kanë nevojë dhe ne atë mundësi nuk e kemi”, kishte thënë Pacolli.

Më e ngathët se diplomatët tonë, gjatë këtij viti është treguar ajo e Serbisë e cila pandalur ka bërë fushatë te shumë shtete që të tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke publikuar edhe dokumente të ndryshme.

Mirëpo, një gjë e tillë gjithmonë kundërshtohej nga Kosova, e cila krenohej me të arriturat gjatë këtij viti në procesin e integrimit.

Kosova përveç 116 njohjeve që ka arritur ti marr për 10 vite, ka vendosur marrëdhënie diplomatike me 80 shtete, aktualisht ka mbi 40 misione diplomatike të hapura dhe është anëtare e mbi 50 organizatave ndërkombëtare shumëpalëshe. /Indeksonline/