1400 të sëmurë nga Skleroza Multiple në Kosovë, vetëm 100 prej tyre përfitojnë terapi falas
Rreth 1 400 persona janë të prekur nga sëmundja e quajtur Skleroza Multiple në Kosovë, por vetëm 100 prej tyre përfitojnë shërbime falas nga Ministria e Shëndetësisë madje as medikamentet për trajtimin e kësaj sëmundje nuk janë të përfshira në listën e barnave esenciale.
Labinot Demi nga Shoqata e Sklerozës Multiple në Kosovë ka thënë për “Indeksonline se kjo sëmundje e cila nuk mund të shërohet por vetëm menaxhohet, trajtohet falas në shtetet e rajonit, por jo edhe në Kosovë.
“Ne Kosovë janë të prekur me shumë se 1400 persona me Skleroze Multiple. Nga Ministria e Shëndetësisë vetëm 100 pacientë përfitojnë trajtim falas. Personat e prekur janë të moshës së re 20-40 vjeç. Në çdo shtet të botës duke e përfshirë edhe shtetet e rajonit trajtohen falas dhe e kanë mbështetjen e shtetit për sëmundje kronike dhe kjo sëmundje nuk shërohet por mund të menaxhohet”, ka thënë Demi.
Skleroza Multiple (SM) është sëmundje autoimune e cila e atakon sistemin nervor qëndror. Normalisht sistemi imun e mbron organizmin nga faktorët e jashtëm si viruset, bakteret dhe tjera, ose faktorët e brendshëm si qelizat tumorale. Në rastin me SM, sistemi imun sulmon fijet e veta nervore.
Demi tha se ekzistojnë 14 terapi të aprovuar për trajtimin e kësaj sëmundje por në Kosovë jepet vetën një lloj i kësaj terapie për 100 persona, por të tjerët duhet ta blejnë vet ose të mos trajtohen fare.
“Në botë ekzistojnë 14 terapi te aprovuar nga FDA kurse në Kosove është vetëm një lloj i terapisë edhe për 100 persona kurse mbi 1 300 persona janë të detyruar ta blejnë vet ose të mos trajtohen fare”, përfundoi Demi duke kërkuar ndihmë nga institucionet përkatëse shëndetësore.
Por në Ministrinë e Shëndetësisë thonë që është duke u hartuar një dokument i cili e adreson çështjen e personave të prekur nga Skeroza Multiple.
“Për këtë qëllim, ka kërkuar nga profesionistët që merren me trajtimin e kësaj sëmundjeje që të sigurojnë numrin e saktë të personave të prekur nga Skleroza Multiple, sepse konsiderohet se rreth 1 300 pacientë janë të prekur nga kjo sëmundje dhe janë në faza të ndryshme të saj”, kanë thënë për Indeksonline zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë për Indeksonline.
Sipas tyre, 100 persona që janë në faza më agresive të kësaj sëmundje mbulohen me terapi vjetore nga Ministria e Shëndetësisë, kurse pjesa tjetër nuk kanë nevojë për terapi apo janë në fazë të hershme të kësaj sëmundje.
“Prej tyre, rreth 700 pacientë, sipas disa informatave të siguruara nga profesionistët e fushës, por që kanë nevojë të konfirmohen me dëshmi nuk kanë nevojë për terapi, prej 200-250 pacientë janë në faza të lehta të sëmundjes, përderisa 100 pacientë në faza më agresive të sëmundjes mbulohen me tarapi vjetore nga MSh-ja”, thuhet në përgjigjen nga MSH.
Madje pacientët e prekur nga Skleroza Multiple në Kosovë kanë bërë kërkesë për përfshirjen e medikamenteve të kësaj sëmundje në listën e barnave esenciale, kërkesë kjo e cila pritet të trajtohet nga Komiteti teknik për Listën e Barnave Esenciale.
“MSh është në proces të revidimit të Listës së Barnave Esenciale dhe ka marrë nga Shoqata e pacientëve të Sklerozës Multiple kërkesat e tyre për përfshirje në këtë listë të barnave, kërkesa këto që do të trajtohen nga Komiteti teknik për Listën e Barnave Esenciale”, kanë thënë ata.
Se në Kosovë subvencionohet pjesërisht mjekimi i pacientëve me këtë lloj të sëmundjes, kanë thënë edhe zyrtarë nga Qendra Klinike Universitare. Kurse për numrin e të prekurve nga kjo sëmundje sipas të dhënave të kësaj Klinikës së Neurologjisë supozohet të jenë nga 800-900.
“Kosova është i vetmi vend në regjion i cili pjesërisht e subvencionon mjekimin e pacienteve me Skleroze Multiple dhe i vetmi vend i cili e subvencionon vetëm një ilaç (edhe atë pjesërisht) për mjekimin e te sëmurëve me Skleroze Multiple”.
Deri më tash me terapinë e quajtur “munomodulatore (interferon beta -1b)” po trajtohen 100 persona kurse në listë të pritjes gjenden rreth 220 të sëmurë të tjerë që kanë nevojë për trajtim.
Ndonëse për përfshirjen në këtë terapi nevojitet plotësimi i një sërë kushtesh që kanë të bëjnë me stadin e sëmundjes në të cilin pacientët gjinden.
Sipas mjekëve të Klinikës së Neurologjisë, për trajtimin e kësaj sëmundje duhet të bëhet një program më gjithëpërfshirës në raport me këta të sëmurë, dhe jo vetëm trajtimi me medikamentin e quajtur Betaferon që përdoret tash.
“Mendojë që duhet bërë një program me gjithëpërfshirës në raport me këta të sëmurë e jo vetëm me Betaferon duke i dhënë mundësi kësaj kategorie te sëmuresh për mjekim sa me të mirë”.
Të pyetur rreth shërbimeve dhe stafit mjekësor, zyrtarë nga QKUK kanë konsideruar të jetë profesional për të trajtuar të gjitha aspektet e kësaj sëmundje, e cila rezulton të mos jetë aspak e lehtë.
Për përmirësimin e trajtimit të personave të prekur nga kjo sëmundje dhe po ashtu sigurimin e terapive për të gjithë këta persona, zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë ka thënë se do të kërkojnë nga Qeveria të ndahen mjete të tjera për vitin 2019./Indeksonline/