Uran Ismaili: Vendosmëria e jonë për të luftuar korrupsionin po jep frytet e saj
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, në një bisedë për Indeksonline, ka folur për arrestimet e fundit në Ministrinë e Shëndetësisë.
Ai ka thënë se lufta e tij kundër korrupsionit është e pakthyeshme, e drejtë dhe e cila tani ka nisur të jap frytet e saj.
“Qysh kur kam marrë drejtimin e Ministrisë së Shëndetësië, një ndër prioritetet e politikës time ka qenë lufta kundër korrupsionit. Këtë e kam bërë duke luftuar cmimet e larta të barnave që ka blerë ministria vite më parë e që e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit për miliona euro. Kjo tani nuk ndodhë më. Kurse me të dëgjuar për dyshimet rreth keqpërdorimit të avansave gjatë viteve të kaluara nga disa zyrtarë që ende kanë qenë pjesë e ministrisë ne kemi reaguar menjëherë duke bashkëpunuar me të gjitha organet e rendit që kjo cështje të zbardhet”, ka thënë ministri Ismaili për Indeksonline.
“Policia ka arrestuar sot të dyshuarit. Ne e kemi mbështetur reagimin e tyre të shpejtë dhe profesional. Zyrtari që ka qenë ende në marrëdhënie pune do të suspendohet menjëherë dhe kështu do ta zgjidhim edhe një tjetër brengë të së kaluarës”, ka shtuar ministri Ismaili.
Më tutje, ai ka shpjeguar së bëhet fjalë për keqpërdorimin e avanseve para se ai të jetë ministër i shëndetësisë.
“Edhe pse bëhet fjalë për dyshimet mbi keqpërdorimin e avanseve nga vitet e kaluara, kjo nuk do të thotë që ne nuk duhet të reagojmë”, ka thënë ai.
Më tej, ministri Ismaili ka thënë se ky është një tjetër shembull që tregon se lufta e tij ndaj korrupsionit do të jetë e pakompromisë edhe në ditët që vijnë.
“Do të jemi të pakompromis. Lufta ndaj korrupsionit është e pakthyeshme. Do ta godasim kudo që ta takojmë. Tek barnat, tek shërbimet shëndetësore, e aq më tepër tek zyrtarët institucional. Kjo është rruga e vetme që do ta ndjekim sepse është e drejtë dhe në dobi të qytetarëve tanë”, ka thënë ministri Ismaili.