SHBA-ja vendos veto kundër mocionit për anëtarësimin e Palestinës në OKB
SHBA-ja ka bllokuar një ofertë palestineze për t’u njohur si një shtet anëtar me të drejta të plota në Kombet e Bashkuara (OKB).
Sipas mediave të huaja, 12 nga 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ishin pro, Britania dhe Zvicra abstenuan, por Amerika vuri veto ndaj mocionit.
SHBA-ja tha se ende mbështet fuqishëm një zgjidhje me dy shtete, por sipas saj “ajo do të vijë vetëm nga negociatat e drejtpërdrejta midis palëve”.
Presidenti palestinez Mahmoud Abbas e quajti veton e SHBA-së “të padrejtë, joetike dhe të pajustifikuar”.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i izraelit, Israel Katz, vlerësoi SHBA-në për bllokimin e masës.
Projekt-rezoluta i kishte rekomanduar Asamblesë së Përgjithshme prej 193 anëtarësh që “Shteti i Palestinës të pranohej në anëtarësim”.
I dërguari i Amerikës në OKB, Robert Wood, përmendi kontrollin e vazhdueshëm të Hamasit mbi Gazën si një faktor kyç në bllokimin e mocionit.
Grupi është cilësuar një grup terrorist nga shumë qeveri, duke përfshirë SHBA-në dhe Britaninë e Madhe.
Autoriteti Palestinez, me qendër në Bregun Perëndimor, është aktualisht një shtet vëzhgues jo-anëtar në OKB – një pozicion i dhënë në vitin 2012.
Oferta e saj për anëtarësim të plotë duhet të miratohet nga Këshilli i Sigurimit dhe të paktën dy të tretat e Asamblesë së Përgjithshme.
Palestinezët duan një shtet në Bregun Perëndimor, Jerusalemin Lindor dhe Rripin e Gazës, i gjithë territori i pushtuar nga Izraeli në 1967.
OKB-ja ka mbrojtur prej kohësh një plan që do të shihte një shtet palestinez me kufij të sigurt dhe të dakordësuar të krijuar pranë Izraelit.
Shumë e shohin atë si shansin më të mirë për t’i dhënë fund dekadave të dhunës që i paraprinë luftës aktuale Izrael-Hamas.
Megjithatë, eksponentë të vijës së ashpër në qeverinë e krahut të djathtë të Izraelit e hedhin poshtë idenë e një shteti palestinez.