75 Mall Live Search
16:37 / E Martë, 14 Korrik 2026 / L A

Skandali i Botërorit, mjeku i Senegalit ishte gjinekolog

Federata e Futbollit e Senegalit ka kërkuar mbështetje shtesë mjekësore për kombëtaren gjatë Kupës së Botës, pasi lojtarët kishin shprehur shqetësime për nivelin e përgatitjes së mjekut të ekipit.

Presidenti i federatës, Abdoulaye Fall, deklaroi se mjeku i kombëtares ishte trajnuar si gjinekolog dhe se çështja ishte zbuluar me vonesë, duke shkaktuar pasiguri te disa futbollistë për kujdesin shëndetësor që do të merrnin gjatë turneut.

Bazuar në reagimet që mora, lojtarët nuk ishin plotësisht të bindur se do të mbështeteshin sa duhet. Na u desh të gjenim ekspertizë shtesë për t’i qetësuar, sepse shëndeti është mbi gjithçka”, tha Fall.

Megjithatë, Shoqata Senegaleze e Mjekësisë Sportive i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si “të pabazuara dhe shpifëse”.

Sipas kësaj shoqate, mjeku i kombëtares, Abderahmane Fediore, ka diplomë specializimi në mjekësinë sportive dhe biologjinë sportive nga Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin Cheikh Anta Diop.

Fediore më parë ka drejtuar departamentin e fizioterapisë në Spitalin Fann dhe ka qenë mjek i kombëtares së Senegalit që nga viti 2017, duke marrë pjesë në tri Kupa të Botës dhe pesë Kupa të Afrikës.

Ndërkohë, Senegali ka kaluar një turne zhgënjyes në Botëror, pavarësisht pritshmërive të larta pas triumfit në Kupën e Afrikës në janar.

Kombëtarja afrikane humbi dy ndeshjet e para të grupit ndaj Francës dhe Norvegjisë, ndërsa u eliminua pas humbjes 3:2 në kohën shtesë ndaj Belgjikës, pasi kishte udhëhequr 2:0 deri në minutat e fundit.

Pas këtyre rezultateve, Federata e Senegalit shkarkoi edhe trajnerin Pape Bouna Thiaw.