20:25 / E Hënë, 01 Janar 2018 / indeksADMonline

2017-ta e Ramiz Lladrovcit dhe planet e tij për 2018

Viti 2017, lirisht mund të cilësohet si vit i Ramiz Lladrovcit, kryetar i komunës së  Drenasit.

Ai gjatë këtij viti përveç që u përfol shumë për punën që bëri me marrjen e postit të kryetarit, ai u citua mjaft shumë edhe për humor.

E për këtë Ramiz Lladrovci në një intervistë për Indeksonline thotë se puna me përkushtim dhe fjala e dhënë, prodhuan humor.

“Mendoj se ka shumë rastësi të cilat njëherësh u kombinuan dhe krijuan moment të ri. Puna, sinqeriteti im, përkushtimi dhe fjala e dhënë, prodhuan edhe humor, andaj shumë elemente kanë bërë të veten” ka thënë Lladrovci.

Lladrovci  gjatë kësaj interviste është shprehur se në fitoren e tij në Drenas ka ndikuar puna e tij e sinqertë. Ai thotë se qytetari nuk e do mashtruesit dhe sekserët.

“Ka ndikuar puna ime e sinqertë por edhe besimi i patundur në forcën e qytetarit për të bërë ndryshim. Kur do populli, asgjë nuk e ndalë. Kur ka zgjidhje, qytetari nuk i do mashtruesit dhe sekserët. Tash, besimi i qytetarëve, është bërë zotim për mua, për të punuar edhe më shumë se gjatë vitit 2017” ka shtuar Lladrovci.

E çka i ka mbetur marak  për të bërë në vitin që po e lëmë pas e që do ta bëjë në vitin 2018, Lladrovcit!

“Do ta bëj me prioritet rrugën me katër korsi dhe shtratin e lumit Drenica. Dy zotime që më janë dhënë nga pushteti qendror dhe jam i padurueshëm kur do t’i fillojmë në 2018” ka thënë Lladrovci.

Sa i përket bashkëpunimeve, Lladrovci thotë së është institucionalist i përbetuar.

“Me të gjithë bashkëpunoj pa dallim kur bëhet fjalë për institucione, jam institucionalist i përbetuar. Sigurisht se Z. Veseli është përkrahës i jashtëzakonshëm i Drenasit dhe Drenicës. Presidenti e Kryeministri e kanë po ashtu vendin e vet” ka shtuar Lladrovci.

Për vitin 2018, Lladrovci është i bindur se do të realizoj shumë më shumë projekte sesa në 2017.

“Plani im për 2018 është prezantuar në projeksionin buxhetor, por jam i bindur se do të realizojmë shumë më shumë projekte. Pos dy projekteve të cekura më herët, do ta shtoja fillimin e ndërtimit të stadiumit olimpik” ka thënë Lladrovci pwr Indeksonline.

E kur është fjala për urimin për festë, Lladrovci nuk harron zanatin, e bënë këtë me një batutë, “Patriotizmi nuk është koll as fruth”.

“Qytetarë të Republikës së Kosovës, kudo që jeni, duajeni vendin Tuaj, kombin Tuaj dhe kurrë mos u ndalni të punoni dhe doni atë. Kurrë mos ndaloni të jeni patriot sepse patriotizmi nuk është koll as fruth” ka përfunduar Lladrovci.

Ne i urojmë festën   kryetarit Ramiz Lladrovci dhe qytetarëve të Drenasit./Indeksonlin/L.TH/