18:57 / E Diele, 21 Tetor 2018 / indeksADMonline

74 objekte banesore të ndërtuara brenda këtij viti në Gjilan

Njihej si komuna e zhvillimit në vitet e 70-ta. Zhvillimi ekonomik kishte lulëzuar falë fabrikave dhe ndërmarrjeve të shumta shoqërore. Vetëm përgjatë viteve 1970-1990 në Gjilan funksiononin mbi tetë fabrika dhe shumë ndërmarrje të tjera fitimprurëse.

Por, për dallim nga ajo kohë, sot komuna e Gjilanit është e mbi ndërtuar. Thuajse asnjë hapësirë më nuk ka mbetur e gjelbëruar dhe qyteti njihet vetëm për ndërtim të tepruar të banesave.

Për 10 muaj të këtij viti, në Gjilan janë ndërtuar 74 objekte. Madje sipas zyrtarëve komunal, në Gjilan ka një trend të mirë të ndërtimeve, sidomos të atyre kolektive.

“Në Gjilan është një trend i mirë i ndërtimeve, sidomos i atyre kolektive. Si Komunë, po u krijojmë kushte sa më të mira investitorëve në bazë të ligjit të ndërtimit dhe planeve urbanistike. Në vitin 2018 janë ndërtuar 74 objekte”, ka thënë për Indeksonline, Drejtori i Inspeksionit në Gjilan, Nevzad Rushiti.

Rushiti tutje ka deklaruar se të gjitha ndërtimet janë me leje dhe se shtatë të tjera janë në procedurë të pajisjes për leje të ndërtimit.

Ai gjithashtu ka theksuar se në momentin e nevojës së rrënimit, fjalën përfundimtare e thotë vetë gjykata.

“Fillimisht, lëshohet procesverbali, pastaj dënimi me gjobë, dërgimi i lëndës në gjykatë e më pas gjykata e thotë fjalën e saj përfundimtare. Të gjitha ndërtimet pa leje që janë bërë në të kaluarën do të trajtohen në kuadër të ligjit për legalizim, i cili ka kaluar në Kuvendin e Republikës”, ka përfunduar kreu i Inspeksionit në Gjilan, Nevzad Rushiti./Indeksonline/