75 Mall Live Search
15:51 / E Premte, 11 Shtator 2020 / indeksADMonline

​Hoti dhe Kosnetti nderojnë viktimat e 11 shtatorit

Në 19-vjetorin e sulmit terrorist në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i cili ndodh më 11 shtator të vitit 2001 kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip S. Kosnett kanë bërë homazhe te memoriali “Kosova kujton”, kushtuar viktimave të këtij sulmi.

Kreu i ekzekutivit, Avdullah Hoti tha se çdo sulm ndaj botës demokratike është sulm edhe ndaj popullit të Kosovës.

“Çdo sulm që bëhet ndaj botës demokratike është sulm ndaj popullit të Kosovës. Ne sot bashkëndjejmë me familjet e këtyre të rënëve dhe ashtu siç e tha edhe ambasadori kjo ditë ka hapur një kapitull të ri të botës së civilizuar, të botës demokratike për të qëndruar së bashku dhe për të bërë ballë çdo sulmi që mund të vije për të dal më të fortë nga çfarëdo sulmi që i vije botës demokratike. Populli i Kosovës ndan vlera të njëjta me popullin amerikan dhe ne sot kujtojmë të gjitha viktimat e sulmit të 11 shtatorit”, theksoi Hoti.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip S. Kosnett tha se sot është një ditë për të menduar për të ardhmen dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara, Kosovës dhe shumë partnerëve të tjerë në botë për të ndërtuar një të ardhme të paqes, drejtësisë dhe prosperitetit për fëmijët tanë.

“Është një nder të jem këtu këtë pasdite me kryeministrin për të kujtuar ditën e tmerrshme që ndodhi më 2001 kur qytetarët e 77 vendeve vdiqën në një sulm të tmerrshëm tragjik në Shtetet e Bashkuara. Është e rëndësishme për ne që të nderojmë të vdekurit por të nderojmë edhe heronjtë siç ishin zjarrfikësit, policinë, personelin mjekësor dhe të kujtojmë sakrificat, trimërinë dhe durimin e të mbijetuarve dhe anëtarëve të familjes. Kjo është gjithashtu një ditë për të menduar për të ardhmen dhe angazhimi i Shteteve të Bashkuara, Kosovës dhe i shumë partnerëve të tjerë në botë për të ndërtuar një të ardhme të paqes, drejtësisë dhe prosperitetit për fëmijët tanë. Ne kurrë nuk duhet ta harrojmë të kaluarën, por duhet ta përdorim të kaluarën për të dyfishuar përpjekjet tona për të marshuar në të ardhmen”, tha ai.

Në kuadër të këtij përvjetori edhe liderët tjerë institucional dhe politikë nderuan viktimat e 11 shtatorit në ShBA. Sulmi ndaj Kullave Binjake ishte kryer më 11 shtator 2001 nga një grup prej 19 vetash rrëmbyes radikal, 15 prej tyre ishin nga Arabia Saudite, dy nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga Egjipti dhe një nga Libani. Në këtë sulm terrorist humbën jetën rreth 3 mijë njerëz në katër zona të ndryshme.