Avokati i Popullit pranon ankesën e FSSHK-së, kërkon hetim për 300 eurot shtesë

Në kuadër të Ligjit për Avokatin e Popullit është shqyrtuar Ankesa për diskriminim mbi kompenzimin në pagë të punëtorëve shëndetësor me Vendim të Qeverisë, të paraqitur me 28/09/2020, lidhur me pohimin për shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut apo keqpërdorim nga autoritetet publike dhe në pajtim me nenin 21.1.2 të Ligjit për Avokatin e Popullit, ka vendosur si të pranuar ankesën për hetimin e shkeljeve eventuale të pohuara, bëhet e ditur në komunikatën për medie të FSSHK-së.
Federata Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës sërish i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që të mos bëj shkëputje të ndonjë hallke të zinxhirit në bazë të së cilit funksionon sistemi shëndetësor në vend, kur bëhet fjalë për pagesën e 300 eurove shtesë.
“Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka reaguar me kohë ndaj Vendimit të Qeverisë se Republikës së Kosovës të datës 29.07.2020 në lidhje me aprovimin e shtesave mbi pagë në vlerë prej treqind(300 €) për punëtorët shëndetësor në sektorin publik me të cilin Vendim ka diskriminuar të punësuarit në institucione shëndetësore duke bërë seleksionim të padrejtë”, thekson komunikata.
Andaj Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës nuk do ti ndal veprimet deri në arritjen e vendimit meritor për të gjithë profesionistët shëndetësor dhe stafin mbeshtetës në sektorin e shëndetësisë.