Gani Dreshaj nuk kandidon për deputet: Sistemi i drejtësisë është i kapur

Gani Dreshaj nuk do të jetë kandidat për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Biznesmeni i njohur, ish-deputeti dhe zëvëndësministri në detyrë i Punëve të Jashtme ka thënë se është i zhgënjyer me sistemin e drejtësisë dhe zbatimit të ligjit në Kosovë, gjë për të cilën nuk do të jetë pjesë e listës në garën zgjedhore.
Me një mesazh në profilin e tij në Facebook, Dreshaj ka thënë se do të jetë krah qytetarëve në etapat e zhvillimit të komunës dhe vendit.
“Te nderuar qytetarë, bashkëkombës dhe bashkëluftëtarë,
Fillimisht, shpreh keqardhjen për nivelin dhe funksionalitetit e institucioneve të zbatimit të ligjit, për çka unë nuk do të jem pjesë e garës për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Tërë jetën dhe veprimtarinë time e kam projektuar në ndërtimin e mekanizmave të zbatimit të ligjit dhe në tërësi, shtetit.
Unë si prind, familjar dhe bashkatdhetar i rritur në sistem demokratik, ku ligji është atdhe, bëj thirrje edhe te deputetët e tjerë që të hapin rrugë dhe të mbështesim mekanizmat e zbatimit te ligjit, në vendimet e tyre edhe në qoftë se vendimet nuk janë të drejta.
Ligji duhet te vlejë për të gjithë njësoj, për të njëjtën vepër unë largohem, ndërsa kolegët e tjerë kanë gjetë mënyra për të qenë ende në lista, gjë e cila tregon se sa joserioz e i ndikuar është ky sistem.
Unë si deputet i zgjedhur dhe zv.ministër i Punëve te Jashtme, do të mbështes presidentin në ardhje, z.Ramush Haradinaj, për të bërë reforma dhe ndërtuar një shtet demokratik, në koordinim me partnerin tonë strategjik në Evropë, Gjermaninë dhe partnerin tonë strategjik në botë, Amerikën.
Duke falënderuar për mbështetjen të gjithë qytetarëve të Istogut dhe më gjerë, u jam mirënjohës dhe do të jemi bashkë në të gjitha etapat e zhvillimit te komunës dhe vendit.
Nëse nuk do të jemi në krah me partnerët tanë strategjikëdhe nëse nuk fillojmë të mendojmë qe shteti është në rend të parë do të kemi pasoja të pariparueshme, për të cilat Serbia është duke investuar.
Bëj lutje që Kosova dhe populli të jenë te bashkuar kundër Serbisë dhe jo të merremi me njëri-tjetrin dhe të punojmë për të rrënuar gjykata e për të dhunuar institucione.
Atdheu është i fëmijëve tanë dhe ne duhet te investojmë në të ardhmen” shkruan Dreshaj në njoftim./Indeksonline/