75 Mall Live Search
09:56 / E Martë, 26 Janar 2021 / OSH

KEDS angazhon rreth 400 punëtorë në zonat e afektuara nga moti i ligë

Reshjet e vazhdueshme të shiut dhe borës janë duke bërë që në disa zona të ketë edhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike.

KEDS-i ka reaguar menjëherë, duke angazhuar rreth 400 punëtorë të terrenit për të përmirësuar dëmet që po shkaktohen në rrjet si pasojë e faktorëve atmosferikë. Zonat më të prekura aktualisht janë: distriktet, i Pejës, Mitrovicës dhe pjesërisht i Prishtinës.

Ekipet e KEDS-it janë duke punuar pandërprerë që nga orët e vona të ditës së djeshme në mënyrë që sa më parë të stabilizohet furnizimi me energji elektrike. Mirëpo, kushtet atmosferike janë duke e vështirësuar tej mase intervenimin, pasi që në shumë zona ekipet nuk po mund të depërtojnë me makineritë e rënda, për shkak se terreni është i pakalueshëm nga reshjet. Kështu, ata po detyrohen që rregullimin e prishjeve ta bëjnë duke bartur fizikisht të gjithë materialin e nevojshëm.

KEDS-i fton të gjithë konsumatorët e zonave të prekura që në rast se shohin avari në rrjet, assesi të mos afrohen, por të thërrasin menjëherë Qendrën e thirrjeve në numrin pa pagesë 0800 79 100 apo të na shkruajnë përmes rrjeteve sociale.