Idrizi për vizitën e Kurtit në Veri: I ka rreziku edhe banorët atje

Valdete Idrizi nga Partia Demokratike e Kosovës e ka quajtur veprim të pamatur vizitën e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe të ushtrueses së Detyrës së Presidentes, Vjosa Osmanit, në Mitrovicën Veriore.
”Kemi pa shumë herë që [Albin] Kurti është krekosur, kemi parë video të shumta kur thotë: ”shkoni në veri”. E në këtë mënyrë me shku tash në parafushatë edhe duke e keqpërdorë institucionin më të lartë të vendit, me shku në mënyrën qysh ka shku edhe me e poshtëru edhe vetë institucionin, me të vërtetë nuk i ka pasë hije”, ka thënë Idrizi në Info Magazine të Klan Kosovës.
“Është poshtëru sepse ju e keni pa se si kanë ikë. Me qenë institucioni më i lartë i shtetit, i ushtrueses së Detyrës së Presidentit, me e sjellë në atë situatë që të largohet në atë mënyrë, nuk ish dashtë në atë formë me shku fare”.
”Ky ka qenë puro provokim i madh. Po e them i rreizkshëm sepse i ka rreziku edhe banorët atje. Me nxitë incident edhe trazira pa pikë nevoje në këtë kohë në fushatë me kriju gjendje të jashtëzakonshme, me të vërtetë ka qenë veprim i pamatur. Sepse sovraniteti, shtrirja e rendit kushtetutës shkurt është cenu”.
Idrizi nuk u pajtua me mënyrën si Kurti ka shkuar në Mitrovicën Veriore, duke e përmendur mënyrën se si ish-presidenti Hashim Thaçi kishte realizuar një vizitë të tillë.
”Nuk është dashtë në atë mënyrë që as të rrezikojë sepse ata e kanë ditë shumë mirë, nuk mund të dalin shumë lirshëm”.
Për më tepër, Idrizi mohoi kategorikisht që partia e saj e ka pasur informacionin që Kurti do ta realizojë një vizitë të tillë, madje e ka quajtur skandaloze deklaratën se kjo arti e ka penguar këtë vizitë.
”Absolutisht s’e kemi pasë informacionin. Unë jam duke e gjykuar mënyrën”, ka thënë Idrizi.
”Një deklaratë e tillë që PDK-ja po e pengon në veri me të vërtetë është skandaloze”.