Feronikeli e ‘gjunjëzon’ Prishtinën, Llapi fiton pastër ndaj Besës

Feronikeli ka fituar me rezultat 2-0 ndaj Prishtinës në xhiron e 25-të në Superligën e Kosovës.
Marko Simonovski ka përfituar në përfundimin e pjesës së parë nga një devijim i Leutrim Bekteshit dhe i ka dhuruar epërsinë Feronikelit.
Epilogun përfundimtar të ndeshjes e vendosi i njëjtë lojtar, Simonovski, duke shënuar nga penalltia për 2-0.
Në minutën e 79, Feronikeli mbeti me 10 lojtarë kur Argjend Malaj u ndëshkua me të kuq. Me këtë fitore, Feronikeli tani është në vendin e gjashtë me 31 pikë.
Prishtina ka dështuar që të marrë ndonjë pikë në këtë takim dhe mund të jetë jashtë garës për titull përfundimisht.
Për momentin, Prishtina ka 50 pikë, një më pak sesa Ballkani dhe tri më pak sesa Drita.
Rezultati i ndeshjes tjetër të zhvilluar në orar të njëjtë mes Besës dhe Llapit ka përfunduar 1-4 në të mirë të Llapjanëve./