Sermaxhaj: Challandes t’i jepet mundësia deri në fund të eliminatoreve, nëse nuk kualifikohemi të mendohet shkarkimi

Trajneri kosovar, Genc Sermaxhaj beson se gjasat e Kosovës kundër Suedisë dhe Spanjës janë të vogla.
Në një prononcim për Indeksonline, ai tha se cilësia është në anën e kundërshtarëve por në futboll mund të ndodh edhe befasia.
“Gjasat e Kosovës janë mjafte te vogla ndaj te dy përfaqësueseve. E dimë fuqinë e Spanjës dhe po ashtu të Suedisë. Kanë cilësi shumëfish më të mira se Kosova. Ndonjë angazhim i jashtëzakonshëm dhe fat ndoshta diçka mund të bëjmë që t’i vejmë në vështirësi kundërshtarët. Në futboll ndodh edhe befasia. Kosova edhe mund ta bëj një gjë të tillë, por prapë se prapë cilësia në anën e kundërshtarëve është evidente”, u shprehë ai fillimisht.
Tutje, Sermaxhaj beson se Challandesit duhet t’i jepet mundësia deri në fund të eliminatoreve dhe të mos shkarkohet pas ndeshjeve të marsit.
“Nuk duhet të mendojmë për shkarkimin e trajnerit tani në fillim të eliminatorëve. Duhet t’i jepet mundësia deri në ndeshjet e fundit e më pas në rast se nuk kualifikohemi, të mendohet për shkarkimin. Tani është shumë herët dhe as nuk bën të mendojmë këtë gjë”, shtoi trajneri kosovar.
Në fund, Sermaxhaj u shprehë se lista e futbollistëve të ftuar është e mirë dhe se niveli i Superligës nuk është i lartë.
“Është vendim plotësisht i drejt. Pa dashur ta nënçmoj ligën e as lojtarët të cilët me një pjesë të madhe prej tyre edhe kemi luajtur. Po pa hatërmbetje, ne nuk jemi nivel i lartë që të ftohemi në përfaqësuese. Dhe mendoj që vendimi është plotësisht me vend për kohën në të cilën po kalon futbolli i Kosovës”, përfundoi Sermaxhaj. /Indeksonline/