Drejtori i Milanit me kancer

Një problem serioz shëndetësor është evidentuar për Ivan Gazidis, drejtori menaxhues i klubit. Siç u njoftua zyrtarisht nga kuqezinjtë, Gazidis u diagnostikua me kancer në fyt. Për fat të mirë, sëmundja duket “shumë e shërueshme” dhe drejtori kuqezi do t’i nënshtrohet trajtimit të nevojshëm në klinika të specializuara. Vetë Gazidis donte të siguronte të gjithë tifozët kuqezinj përmes një mesazhi të postuar në faqen zyrtare të Milanit:
“Sigurisht, nuk ka kurrë përjetim të mirë për diagnozën e kancerit. Megjithatë, për fat të mirë duket një formë shumë e shërueshme. Një ekip i nivelit të lartë mjekësor do të më ndjekë. Kam mbështetjen e të dashurve të mi dhe të gjithë kolegëve e bashkëpunëtorëve të klubit. Jam i bindur, bazuar në të gjitha konsultat fillestare mjekësore, që tumori do të trajtohet me sukses, me një rikuperim të plotë.
Diagnoza ime tregon rëndësinë e kontrolleve të rregullta mjekësore, edhe nëse nuk keni simptoma. Unë me të vërtetë i inkurajoj të gjithë që t’i japin përparësi shëndetit të tyre dhe jo të nënvlerësojnë parandalimin, madje edhe përkundrejt detyrimeve të përditshme të jetës dhe punës.
Ne kemi një ekip të fortë, brenda dhe jashtë fushës. Unë kam besim të plotë në aftësinë e bashkëpunëtorëve për ta çuar përpara klubin tonë në javët e ardhshme. Shihemi së shpejti dhe gjithmonë: Forca Milan”.