75 Mall Live Search
16:07 / E Mërkurë, 10 Nëntor 2021 / B O

Sheva kthehet në Serie A, i matur në prezantimin e tij

Andriy Shevchenko është zyrtarisht trajner i ri i Genoas. Legjenda e Milanit e ka vlerësuar ai hap të madh për karrierën e tij rikthimin në futbollin italian si trajner.

Ai ka qenë shumë i matur në deklaratën e tij duke thënë se synimi i vetëm me Genoan është mbijetesa.

“Është një moment shumë i rëndësishëm në karrierën time si trajner. Genoa është një klub i rëndësishëm, ky është një projekt që më intereson shumë dhe qëllimi numër një për ne është të luajmë në Serie A vitin e ardhshëm. Mënyra e vetme për ta bërë këtë është të punosh. Do të bëj gjithçka duke dhënë maksimumin për të arritur këtë rezultat. Kam luajtur një herë në Genova dhe ishte një ndeshje shumë e vështirë. Më kujtohet shumë mirë që luaja kundër 12 lojtarëve, sepse njeriu i dymbëdhjetë i Genoas ishin tifozët” ka thënë Sheva.

I pyetur për debutimin ndaj Romës, legjenda e Ukrainës ka thënë se ka respekt të madh për Mourinhon.

“Ardhja e tij i ka dhënë shumë futbollit italian. Duhet të jemi gati dhe të kemi mentalitetin e duhur. Duke folur me lojtarët, ndjeva dëshirën për të përmirësuar gjërat” ka thënë Shevchenko./Indeksonline/