75 Mall Live Search
15:31 / E Premte, 12 Nëntor 2021 / B O

Sekretari i përkohshëm i FFK-së shkel statutin, del në përkrahje të kandidatit të PDK-së

Në një kohë kur janë rritur pakënaqësitë e tifozëve për ecurinë e kombëtares së futbollit dhe zhvillimit të futbollit në vend, ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës së Kosovës në Futboll është përfshirë në zgjedhjet lokale.

Taulant Hodaj, i cili ushtron detyrën e Sekretarit të Federatës së Futbollit, nuk ka hezituar të përzihet në llogaritë e zgjedhjeve lokale që do të mbahen të dielën. Ka dal në përkrahje të kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës në Prizren, Shaqir Totajt.

  • Advertisement –

Në këtë avaz, Hodaj thyen Statutin e Federatës së Futbollit të Kosovës. Statuti, në dispozitat e përgjithshme të saj, thekson qartësisht neutralitetin e FFK-së në çështjet politike, raporton Paparaci.

“FFK-ja eshtë neutrale në çështjet e politikës, fesë dhe ndalon çdo formë të diskriminit politik”, thuhet në nenin 1, pika 2, të Dispozitave të Përgjithshme të Statutit të FFK-së.

Në një shkrim që ka publikuar në profilin e tij në Facebook të premten, Hodaj doli hapur në mbështetje të Shaqir Totajt, kandidatit të PDK-së në Komunën e Prizrenit.

Njeriu që ushtron detyrën e sekretarit në FFK, hedh akuza të rënda për “probleme, skandale, inate dhe militantizëm” ndaj kryetarit aktual, Mytaher Haskukës së LVV-së, kundërkandidatit të Shaqir Totajt.

“Qeverisja e Haskukës në këto katër vite kishte shumë probleme, skandale, inate, militantizëm, jo-profesinalizëm, dështim, dhe pa vizion për zhvillimin e Prizrenit, prandaj, në këto zgjedhje për Kryetar të Komunës së Prizrenit unë jam për ta zgjedhur z. Totaj, për Kryetar të Prizrenit”, tha Hodaj.