Marrja e trafos elektrike në Llugagji, reagon KEDS

KEDS ka reaguar pasi Indeksonline ka pranuar raportimin nga banorët e fshatit Llugagji të Pejës për marrjen e trafos elektrike të investuar nga ta.
KEDS ka demantuar këtë gjë, duke thënë se ajo trafo është aset i kompanisë dhe se vetëm po zëvendësohet.
Sot gjatë ditës, në portalin Indeksonline u shpërnda një video ku shihen banorët e fshatit Llugagji të Pejës derisa ankohen se po ju merret trafo elektrike të cilën sipas tyre e kanë investuar me kontributin e tyre.
KEDS sqaron për opinionin se një gjë e tillë nuk është aspak e vërtetë pasiqë trafoja sikurse çdo stabiliment tjetër energjetik është aset i KEDS, i cili mirëmbahet dhe menaxhohet nga kompania.
Në rastin në fjalë, në fakt po bëhet zëvendësimi i trafos për të mundësuar balancën e ngarkesës në trafostacione në mënyrë që të parandalohet çdo dëmtim eventual i aseteve tona si pasojë e mbingarkesave me të cilat po ballafaqohemi kohëve të fundit.
Dhe e gjithë kjo po bëhet me të vetmen arsye që konsumatorët tanë të kenë furnizim stabil dhe kualitativ me energji elektrike.
Pengimi i ekipeve tona në kryerjen e detyrës zyrtare përpos që është vepër që dënohet sipas ligjit në fuqi, njëkohësisht rrezikon furnizimin me energji për banorët e zonës, prandaj KEDS kërkon nga konsumatorët që të bashkëpunojnë me ekipet në terren dhe asesi të mos bëhen faktorë pengues në kryerjen e detyrës zyrtare.