75 Mall Live Search
16:11 / E Shtunë, 09 Prill 2022 / C E

Ballkani vazhdon drejt tiullit me fitore, Gjilani e shkatërron Drenicën

Kanë përfunduar dy ndeshjet e sotme të programit të Superligës së Kosovës, ku nuk kemi pasur befasi sa i përket rezultateve.

Pas plot 90’ minutave lojë të zhvilluara, lideri i tabelës Ballkani e ka mposhtur me rezultat minimal 1:0 Dukagjinin.

Golin e vetëm të ndeshjes, dhe të fitores për Ballkanin e shënoi mesfushori Meriton Korenica, i cili shënon në minutën e 83’ për rezultatin final 1:0.

Në anën tjetër, skuadra e Gjilanit pa praninë e “Skifterave” në stadium ka arritur të shënojë fitore me rezultat të thellë 5:0 kundër Drenicës.

Golat për skuadrën e Ismet Munishit i shënuan Torassa (minuta e 14’), Razak (minuta e 42’), Shkodra (minuta e 76’) dhe Blerim Krasniqi (minuta e 80’, minuta e 90’+4 shtesë).

Me pikët e reja, Ballkani përforcon pozitën e parë në tabelë, ku tani gjendet në kuotën 60 pikëve, krahas kundërshtarit të sotëm Dukagjinit që zë vendin e tetë në tabelë me vetëm 30 pikë të arkëtuara.

Ndërkaq, pas fitores së sotme, Gjilani ngjitet në pozitën e dytë në tabelë me gjithsej 52 pikë, kurse kundërshtari i sotëm, Drenica, renditet në vendin e gjashtë me 35 pikë të tubuara.

Rezultatet finale të ndeshjeve në Superligën e Kosovës i gjeni më poshtë.

Dukagjini 0:1 Ballkani

Gjilani 5:0 Drenica