I kërkuar nga Interi dhe Milani, Scamacca rinovon kontratën me Sassuolon

Gianluca Scamacca ka nënshkruar një rinovim të kontratës me Sassuolo-n, duke vënë kështu një pengesë në punën e Interit dhe Milanit për të nënshkruar me atë në afatin kalimtar veror.
Sulmuesi 23-vjeçar italian është një nga të rinjtë më premtues në Serie A dhe ai duket i destinuar për një kalim në një klub të madh së shpejti. Shumë besojnë se sulmuesi i Sassuolos është njeriu i duhur për të zëvendësuar Ciro Immobile në kombëtaren italiane, duke rigjallëruar skuadrën me talente të rinj.
Siç njoftoi Sassuolo, Scamacca ka rinovuar kontratën e tij me klubin deri në vitin 2026, duke i vendosur “Neroverditë” në një pozicion të fortë negociues përpara afatit kalimtar të verës.
Interi është në pozicionin më të mirë për të siguruar nënshkrimin e tij në verë dhe rinovimi i kontratës nuk e ka ndryshuar këtë, megjithëse mund t’i detyrojë ata të paguajnë më shumë për nënshkrimin e tij, raporton “Calciomercato”.
Milani është gjithashtu i prirur për ta marrë atë, por ka më pak gjasa sesa rivalët e tyre të qytetit.
23-vjeçari ka shënuar 13 gola në 30 paraqitje në Serie A këtë sezon.