Pse u prish opozita në Drenas, flasin asamblistët Xhavit Drenori e Bedri Nika
Dje është mbajtur seanca inauguruese e Kuvendit të Komunës së Drenasit, ku dhanë betimin për të punuar në të mirë të qytetarëve të komunës për katër vitet e ardhshme kryetari Ramiz Lladrovci dhe asamblistët e rinj.
Kjo seancë ishte paramenduar se do të shkonte ndryshe kur të vije puna për të votuar për kryesuesin e ri të Kuvendit Komunal.
Partia Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e 22 tetorit kishte arritur të të siguroj ulëse për Kuvendin komunal për 14 asamblistë, derisa 17 i takonin partive opozitës, e që u mundësonte atyre me një unifikim të zgjidhnin kryesuesin.
Xhavit Drenori, bartësi i listës nga “Vizioni për Drenasin” ka thënë se seanca e djeshme konstituive ka kaluar mirë, deri në momentin kur u votua kryesuesi i Kuvendit Komunal.
Mirëpo, sipas tij, kryetari Ramiz Lladrovci ende nuk po mund ta kuptoj që Kuvendi Komunal është organi kryesor legjislativ i komunës dhe po përzihet shumë në punët e kuvendit.
“Përveç sekretarisë që kryen punët administrative, kryesuesi ish dashur të udhëheq kuvendin, por te ne është një rast ndryshe ku kryetari i komunës përzihet në çdo detaj të kuvendit, në një mënyrë e ngulfat privatësinë e secilit anëtar të kuvendit, por me kalimin e kohës besoj e mëson se cili është roli i tij. Aspekti i votimit dhe betimit dje ka shkuar në rregull, por për mu ka qenë jashtëzakonisht e papritshme rezultati i votimit për kryesues të kuvendit”, ka theksuar Drenori.
Ai ka sqaruar për Indeksonline marrëveshjen që partitë opozitare kishin mes vete deri një ditë para mbajtjes së Kuvendit Komunal, të cilën ai thotë se e shkeli LDK e AKR.
“Duke pasur parasysh rezultatet e zgjedhjeve për asamblist ku PDK mori 14 mandate, përderisa 17 mandate kanë qenë për opozitën, ne kemi vënë kontakte me secilën prej partive opozitare, me shefat e partive dhe kemi ardh në përfundim që duhet të respektohet ky rezultat siç e parasheh ligji dhe kryesuesi në këtë rast ka mundur të zgjidhet prej opozitës. Ishim në negociata dhe të gjithë u pajtuam që të shkohet me një kandidat si opozitë dhe ta marrim atë dhe kuvendi mos të ketë një kontroll siç ka pasur në tetë muajt e fundit nga kryetari Lladrovci”, ka thënë tutje Drenori.
Me kalimin e kohës, siç tha ai, filluan të definohen edhe detaje dhe ishte krejt e natyrshme që kryesuesi të propozohej prej partisë më të madhe nga opozita që ka qenë Nisma me 6 mandate.
Ai tregoi se ishte pajtuar që kandidat i opozitës të ishte Vehbi Berisha, sepse ka qenë në dy legjislatura në kuvend dhe e njihte punën e kuvendit.
“Por çka ndodhi në ditën e fundit, më 6 dhjetor, një ditë para se të votohej në Kuvend, një asambliste e Nismës kalon zyrtarisht në PDK që është legjitime, por e pamoralshme, sepse ato lëvizje mund të bëhen edhe pas betimit në kuvend. Por ka pasur pakënaqësi mes tyre dhe nuk e di as nuk më intereson të di për çka bëhet fjalë. Por më e keqja është se krerët e partive opozitare, LDK dhe AKR pa e njoftuar opozitën kanë biseduar dhe kanë arrit marrëveshje me kryetarin e që nuk e kanë bërë publike, vetëm kanë bërë foto bashkë, një ditë para zgjedhjeve dhe në një mënyrë e kanë zbeh frymën e marrëveshjes së partive opozitare dhe u vërejt pastaj edhe në mbledhje”, shtoi Drenori.
Sipas tij, marrëveshja gojore ishte që nëse një subjekt dëshiron të dal nga koalicioni e të bëhet bashkë me Lladrovcin e që është legjitim, të u tregoj partive tjera nuk ka kurrgjë të keqe, por në këtë rast nuk ka pasur njoftim.
“Ne presim që AAK e cila ishte në kontakte sporadike me Lladrovicn për postin e nënkryetarit të Kuvendit, ata nuk arritën marrëveshje por pastaj ishte LDK që u afrua me ta. LDK e AKR e kanë bërë një gjë të tillë në mënyrën më tinëzare sepse nuk njoftuan që po tërhiqen prej marrëveshjes gojore, duke mbështetur kandidatin e PDK-së për kryesues të Kuvendit komunal. Edhe nëse kanë bërë marrëveshje, që ishte personale dhe pa i njoftuar partitë e tyre, është edhe më e ultë. PDK dje i dhanë vota AKR (Petrit Sinani) dhe LDK (Bedri Nika), pa parim pa bërë marrëveshje”, potencoi Drenori.
Ai theksoi se sipas disa informatave që ka e që janë jozyrtare dhe të pakonfirmuara, flitet edhe për vende të punës në arsim etj, por që janë muhabete kafesh.
“Por derisa nuk dolën para publikut për të treguar se fare ishte marrëveshja dhe i dhanë votat lladrovcit, kjo len hapësirë për të ardh te ai përfundim. Votat janë dhënë për çështje personale dhe i kanë dëmtuar subjektet e tyre. Teorikisht jemi tradhtuar nga këto parti, sepse ato nuk na kanë treguar që po tërhiqen nga marrëveshja gojore, do të ishte më e logjikshme dhe legjitime për partitë tjera opozitare. Gjatë tërë ditës ishin për marrëveshje të opozitës dhe në mbrëmje ndryshoi gjithçka”, ka përfunduar Drenori.
Kujtojmë se kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci një ditë para seancës konstituive të Kuvendit Komunal ka postuar në profilin e tij në Facebook një foto me Bedri Nikën e LDK-së dhe Petrit Sinanin e AKR-së, ku shfaqen të buzëqeshur.
Indeksonline ka kontaktuar edhe me Bedri Nikën e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai në një prononcim ka mohuar se është bashkuar me kryetarin Ramiz Lladrovci.
“Kush ka thënë që jam bashkuar më të? Unë e kam nip Lladrovcin dhe kena dal veç si familjarë e jo si politikanë. Nuk kemi asnjë marrëveshje, asnjë koalicion që jena bashku, sepse nuk kena pas përse. Për çështje të mira të komunës jemi të gjithë bashkë për qytetarët e Drenasit por për çështje që nuk janë në interes të qytetarëve jemi gjithmonë kundër”, ka thënë Nika.
I pyetur se a e ka votuar kandidatin e PDK-së për kryesues të Kuvendit Komunal, Labinot Halilajn, Nika ka thënë se po e ka votuar.
“Po, e kam votuar Labinot Halilajn për kryesues të kuvendit”, ka shtuar Nika./Indeksonline/