Guardiola ironizon me Ibrahimoviqin, pasi ky tha se Haaland mund të pengohet nga trajneri

Pep Guardiola ka qeshur me komentet e Zlatan Ibrahimoviqit, i cili tha se Erling Haaland mund të pengohet nga përmbushja e potencialit të tij për shkak të trajnerit.
Ibrahimoviq shprehu admirimin e tij për sulmuesin e Manchester Cityt, por kur u pyet nëse Guardiola mund ta ndihmonte atë të zhvillohet, ai tha: “Varet nga egoja e Guardiolës, nëse ai e lë të bëhet më i madh se ai apo jo”.
Guardiola nuk u mërzit nga komentet, pasi ai u tall me sulmuesin suedez kur u pyet në një konferencë për shtyp të premten.
“Ai ka të drejtë, ka plotësisht të drejtë. Në këtë klub, në këtë ekip, egoja ime është përtej çdo personi tjetër, çdo lojtari. Nuk më pëlqen kur Erling shënon tre gola dhe të gjitha pikat kryesore janë për të. Jam shumë xheloz! Sinqerisht, jam shumë xheloz!”, tha Guardiola duke qeshur.
“Unë thashë ‘Erling, të lutem jo më gola, përndryshe gazetat nuk do të flasin për mua, dhe vetëm për mua. Ai ka të drejtë, Ibrahimoviq më njeh në mënyrë të përkryer. Ndoshta ai mund të shkruajë një libër tjetër”, shtoi ai.
Ibrahimoviq ka qenë një kritik i zëshëm i Guardiolës gjatë viteve, që kur dyshja punuan së bashku në Barcelonë dhe u ndanë në mënyrë të ashpër, shkruan Goal.