Mediat britanike, reportazh në Has: Aty ku ngjan si lagje periferike e Londrës
Shqiptarët janë të dytët pas sirianëve për numrin e të miturve të pashoqëruar që hynë në Angli gjatë vitit 2017. Të dhënat janë siguruar nga autoritetet zyrtare britanike, të cilat shtynë edhe gazetarin e Daily Mail, Tom Kelly që të bënte një vizitë në “Lagjen periferike të Londrës”, siç e quan ai qytetin e Krumës në Shqipëri.
Media në fjalë ka publikuar një artikull investigativ në lidhje me emigrimin e shqiptarëve në Britaninë e Madhe, rrugët që ndjekin, pagesat si edhe fatin e disave prej tyre, të cilën Albeu.com e sjell si më poshtë:
Tom Kelli, Daily Mail, Has
E rrethuar nga malet me dëbporë, Kruma mund të konsiderohet si një ndër lagjet periferike të Londrës.
Pavarësisht se gjenden rreth 1 600 milje larg nga Londra, banorët e zonës ndihen sikur jetojnë në një prej lagjeve të kryeqytetit anglez.
Zyrtarët lokalë thonë se thuajse çdo familje këtu ka të paktën një të afërm në Londër.
Madje, qëllimi i të rinjve këtu është që të gjejnë një formë përmes trafikantëve për të hyrë në Britaninë e Madhe. Janë edhe prindërit që i ndihmojnë këta të rinj në rrugën e tyre, shkruan Daily Mail.
Në një zonë ku ka pak punësim, të rinjtë e kalojnë ditën në kafe duke folur për mundësitë për t’u futur në Angli.
Mes atyre që kanë dërguar fëmijet në Britaninë e Madhe duke marrë nga 12 000 paund borxh me fajde ka edhe punonjës të policisë apo këshillave të qeverisjes lokale. Prindërit thonë se i dërgojnë fëmijët atje si e vetmja e ardhme e sigurt për ta.
Isa Rexha, një ish-punonjës policie nuk e ka parë djalin e tij prej dy vitesh. Kur ishte 15 vjeç ai kaloi Kanalin La Mansh në karrocerinë e një mauneje, ndërsa deri në Francë e shoqëroi xhaxhai i tij.
Isai thotë: Ai na mungon dhe na ka marrë malli shumë, por nuk duam që të jetë këtu. Nuk mund të bëjmë asgjë për atë këtu. Nuk ka shpresë në Shqipëri për të.
Djali i Isait jeton me familjën angleze që e ka strehuar në jug-perëndim të Londrës dhe është duke bërë shkollën për hidraulik.
Vitin e ardhshëm autoritetet lokale do të vendosin nëse do t’i japin atij leje qendrimi të përhershme. Nëse nuk i jepet, ka shumë shanse që ai të qendrojë ilegalisht në Britaninë e Madhe.
Familja e tij është në dijeni të rrezikut se djali mund të bjerë pre e ndonjë grupi shqiptarësh që mund t’a përdorin atë si skllav pune në lavazhet e makinave apo si shpërndarës droge.
Duke qendruar në banakun e një bari të zbukuruar me flamurin britanik, i ndërtuar nga para të ardhura nga vëllai i tij në Londër, Liman Morina bën shaka: “Shqipëria është një vend kufitar me Londrën. Edhe një person me rrogë të lartë këtu merr më pak se dikush me pagë shumë të ulët atje”.
Autoritetet arsimore në qarkun e Kukësit konfirmojnë se 834 adoleshent lanë shkollën përgjatë viteve 2013-2016, ku shumica dërrmuese kanë tentuar të hyjnë në Britaninë e Madhe.
Sahan Lleshi, një 16 vjeçar nga zona tregon se një shoku i tij 15 vjeçar është tani në Londër, ndërsa vetë ai do të niset muajin tjetër.
“Ka më shumë shpresë atje. Prindërit e mi nuk duan por unë do të iki”., – thotë ai.
Një shitës, Sabit Cahani i ka paguar trafikantëve 12 paund që të dërgojë djalin e tij në Manchester ku punon me 30 paund në ditë në një lavazh makinash.
“Ai iku nga Calais (Francë sh.r) kur ishte 18 vjeç. Iku në kushte të tmerrshme. Momenti kur e pash të ikte ishte më i vështiri për jetën time”., -shprehet ai.
Ka të tjerë që shkojnë në ekstrem.
Një zyrtar lokal tregon se si i pagoi 14 mijë paund trafikantëve për të futur dy djemtë e tij 15 dhe 16 vjeç në Angli.
“Ata jetojnë në një qendër sociale duke dhënë emra të rremë për të mos rrezikuar marrjen e azilit”., -thotë ai.
Ka të tjerë që kanë bërë deklarata të rreme për burra që ushtrojnë dhunë në familje ndaj fëmijëve për t’i ndihmuar ata që të marrin azil në Angli.
Ndërkohë, Flamur Dauti, drejtor i shkollës “Skënderbeu” në Krumë thotë se shumë të rinj janë të gënjyer me shkëlqimin e Anglisë.
“Ka nga ata që kthehen për pushime me makina luksoze, të cilat nuk i kanë të tyret por i kanë marrë me qira për një javë”., – thotë ai.
“Çdokush krenohet, por realiteti është se shumica duhet të heqin shumë peripeci dhe të kalojnë shumë rreziqe për të shkuar atje”., – shton ai.