75 Mall Live Search
11:44 / E Martë, 02 Janar 2018 / indeksADMonline

Imer Beka tregon se çka u punua në Prokurorinë në Prishtinë dhe çka do punohet në 2018

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka ka thënë se viti 2017 ka qenë një ndër vitet me më së shumti angazhime në prokurorinë që ai e udhëheqë.

Beka në një intervistë për “Indeksonline” ka treguar se gjatë vitit që e kemi lënë  pasë ka pasur aktakuza ndaj zyrtarëve të lartë. Sipas tij, të njëjtat janë dërguar në Gjykatë për zhvillim të procedurave penale.

Kryeprokurori Beka ka theksuar se në vitin 2017 nuk ka pasur asnjë ndërhyrje të politikës. Beka beson se kjo do të vazhdojë edhe më tutje.

Ai  thotë se gjatë këtij viti kanë pasur rreth 20 mijë lëndë, për të cilën janë ndarë tri Departamente përkatëse.

Më tej, Beka ka treguar se aktualisht kanë 55 prokurorë. Sipas tij, kërkesa e Themelores është që numri i tyre të arrijë rreth 70.

Më poshtë Intervistën e plotë me kryeprokurorin e Prishtinës, Imer Beka:

Cilat kanë qenë sfidat kryesore që jeni përballur gjatë këtij viti në Prokurori?

Imer Beka: Prokuroria Themelore në Prishtinë gjatë vitit 2017 ka pasur shumë angazhime duke filluar që nga menagjimi i numrit të madh të lëndëve, punëve me kolegët prokurorë rreth çështjeve të caktuara penale si dhe problemeve që kanë dalur nga mungesa e stafit Administrativ. Angazhimet janë fokusuar  në këto çështje me qëllim të suksesit sa më të madh nga kryerësit e lëndëve të pranuara në afate të caktuara ligjore, sukseset që dalin nga konsultimet lidhur me shqyrtimet e rasteve të komplikuara penale dhe me qëllim të zbutjes  së problemit të mungesës së stafit administrativ.

Cilat kanë qenë sukseset që keni arritur gjatë vitit 2017?

Beka: Gjatë raportimeve të rregullta në Prokurorinë e Shtetit, posaçërisht raportet të tre mujorve vazhdimisht është vërejtur se Prokuroria Themelore e Prishtinës gjithëherë ka tejkaluar qind për qindëshin e normës orientuese që d.m.th, se gjatë tërë vitit 2017 janë kryer më shumë lëndë sesa janë pranuar. Me këtë kuptojmë se përveç lëndëve të pranuara janë kryer për afërsisht 130% e normës.

A ka pasur aktakuza të ngritura ndaj zyrtarëve të lartë, nëse po a mund të na tregoni disa?

Beka: Po, gjatë vitit 2017 ka pasur aktakuza të ngritura edhe ndaj zyrtarëve të lartë dhe atë të gjitha janë dërguar në Gjykatë për zhvillim të procedurave penale. Ne këtu mund të përmendim edhe kallëzime penale të cilat janë shtuar edhe nga Agjensioni Anti Korrupsion me të cilën agjension kemi pasur jashtëzakonisht bashkëpunim të mirë dhe kontakteve të rregullta pune. Përveç këtyre aktakuzave ne kemi pasur ngritje të tyre edhe duke u bazuar në kallëzime penale që janë ushtruar nga organet tjera shtetërore, institucionet dhe qytetarët.

Sa lëndë aktualisht keni në Prokurori? Sa mund të zgjatë një lëndë në Prokurorinë Themelore?

Beka: Prokuroria Themelore në Prishtinë gjatë vitit 2017 ka pranuar përafërsisht 20.000 lëndë të të gjitha natyrave, duke përfshirë klasifikimet e ndarjes së lëndëve në PP, PPN dhe PPP. Këto lëndë ndahen në tri Departamente : Në Departamentin e Krimeve të Përgjitshmeve, në Departamentin e Krimeve për të Mitur dhe në Departamentin e Krimeve të Rënda. Vlen të theksohet se me vendim të Prokurorit të Shtetit në Prokurorinë tonë është themeluar edhe Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion. Në këtë Department janë të angazhuar  9 prokurorë.
Në prokurori përveç që duhet të kemi kujdes për shkak të afateve të parashkrimit të ndjekjës penale, ne jemi munduar  që në afatin sa më të shkurtë të trajtojmë çdo lëndë. Me qenë se në prokurori ka rregulla procedurale të cilat i ka caktuar Kodi i Procedurës Penale, ne jemi të obliguar të angazhohemi në respektimin e këtyre rregullave dhe afateve që dalin nga këto rregulla. Nga kjo që thamë del se lëndët të cilat kanë më pak angazhime procedurale  kanë të bëjnë lëndët me vepra të lehta penale të cilat normalisht kryhen më shpejtë, kurse lëndët me vepra penale më të rënda dhe me më shumë kryerës mundë të zgjasin më shumë.

Cilat janë lëndët që nuk vjetërsohen të ndonjë rasti?

Beka: Sa më shumë që Kodi Penal e ka përcaktuar maksimumin e dënimit për vepra të caktuara penale aq më i gjatë është afati i parashkrimit të tyre.

Sa është numri i prokurorëve deri tani, a keni nevojë që të ketë rritje apo?

Beka: Këto dy vitet e fundit në Prokurorinë Themelore në Prishtinë ka filluar të zbutet problemi i mungesës së prokurorëve me vet faktin se tani këtu punojnë 55 prokurorë dhe në fillim të vitit 2018 në këtë Prokurori do të fillojnë punën  edhe 2 prokurorë d.m.th do ti kemi 57 prokurorë. Me këtë do të  rritet edhe më tej numri i zgjedhur i lëndëve. Vlen të theksohet se kërkesa e vazhdueshme e kësaj Prokurorie është që numri i prokurorëve  të jetë rreth 70.

Cili është dallimi ndërmjet drejtësisë para shumë vitesh në Kosovë, me këtë të sotëm?

Beka: Ne në vitin 2004 kemi Kodet e përkohshme Penale kurse në vitin 2013 kemi fituar Kodet Penale të Kosovës të cilat janë legjislacionet më moderne Penale në rajon. Këto Kode janë avancuar dhe janë marrë nga praktikat më të mira të bashkimit Evropian dhe ShBA-së. Prandaj tek ne mbetet vetëm të aplikohen dhe në çdo eventualitet me qëllim të përshtatjës së shoqërisë kosovare të kërkojmë edhe ndryshimet e tyre. Krejt kjo me qëllim që këto Kode të gjejnë aplikim sa më të mirë.

Sa ka pasur ndërhyrje të politikës në proceset e vendosjes së ligjit? A do të evitohen ato gjatë vitit 2018?

Beka: Në Prokurorinë Themelore në Prishtinë duke ju falenderuar menagjimit dhe prokurorëve deri më tani nuk kemi asnjë informacion se në ndonjë rast penal ka pasur ndërhyrje nga njerëzit e politikës. Besojmë se edhe në të ardhmen do të mundohemi që mos të ketë asnjëherë ndërhyrje politike përkitazi me rastet penale.

A pritet të ketë aktakuza ndaj zyrtarëve të lartë në vitin 2018, në rast se ndërlidhen me kryerje të veprës penale?

Beka: Sigurisht se nëse ndonjë zyrtarë i lartë bënë veprime të cilat ndalohen  dhe konsiderohen veprime kriminale të parapara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës ndaj tyre do të fillojë ndjekja penale.

Ciili është mesazhi juaj për vitin 2018?

Beka: Kërkojmë nga të gjithë qytetarët, institucionet shtetërore, shoqëritë civile, mediat etj, që në çdo kohë të denoncojnë dukuritë negative që kanë karakter penal te organet e ndjekjës. Kjo me qëllim që shoqëria jonë të ketë sa më shumë siguri qytetare dhe në shoqërinë tonë çdo individ të jetë i lirë në kryerjen e veprimtarive të tyre të përditshme. Në mënyrë që në Kosovë të rriten standardet e mirëqenies së qytetarëve./Indeksonline/