75 Mall Live Search
23:29 / E Mërkurë, 17 Janar 2024 / Gj. Sh

I thyhen xhamat e autobusit skuadrës pejane, vije reagimi zyrtar

Autobusi i KBF Peja është sulmuar sonte pas përfundimit të gjysëmfinales se Kupës me KBF Bashkimin.

Fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar por me ç’rast janë thyer xhamat e autobusit të kompanisë ”Zekaj Tours”, ku ka pasur dëme të tjera materiale, shkruan IndeksOnline.

Kjo është hera e katërt që sulmohet autobusi i kompanisë në fjalë duke transportuar skuadrën pejane, pasi janë edhe donator.

Kompania ka dal me një reagim pas incidentit dhe ka kërkuar që kjo çështje të trajtohet me seriozitet dhe përgjegjësi nga Federata e Basketbollit kosovar.

Reagimi i plotë:

REAGIM NË LIDHJE ME DËMTIMIN E TË MIRAVE MATERIALE TË AGJENCISË “ZEKAJ TOURS”*
Me keqardhje, sonte kemi përcjellë me zhgënjim të thellë ngjarjet e fundit pas përfundimit të gjysëmfinales se Kupës ne mes të KBF Bashkimi dhe KBF Peja 03, me ç’rast janë thyer xhamat e autobusit tonë dhe dëme të tjera materiale që ka pësuar “Zekaj Tours”. Si donator dhe mbështetës të devotshëm të sportit, kjo ngjarje ka sjellë shqetësim të madh për neve si biznes!
Ne çdo herë kemi vlerësuar përpjekjen tonë të vazhdueshme për të mbështetur sportin dhe për të kontribuar në zhvillimin e aktiviteteve sportive në vend. Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që po ballafaqohemi me një ngjarje të tillë. Kjo na detyron të shqetësohemi seriozisht për të ardhmen si donator.
Nuk mund të injorojmë faktin se, tashmë për të disatën herë, mbështetja jonë është duke rezultuar me dëmtim dhe nuk është duke u trajtuar me seriozitetin dhe përgjegjësinë që pritej nga Kosovo Basketball Federation. Kjo ngjarje nuk ka ndikuar vetëm në aspektin e dëmit material të agjencisë tonë, por gjithashtu ka ngritur pyetje shqetësuese lidhur me menaxhimin dhe përdorimin e burimeve nga ana e Federatës.
Jemi të detyruar të konsiderojmë seriozisht vazhdimin e mbështetjes tonë për sportin në të ardhmen. Është e rëndësishme që marrëveshjet dhe marrëdhëniet tona të jenë të bazuara në përgjegjësi të dyashme dhe transparente. Nëse nuk ka një angazhim të vërtetë për të mbrojtur dhe ruajtur burimet që japin mundësi për zhvillimin e sportit, është vështirë për ne të vazhdojmë këtë bashkëpunim.
Kërkojmë masa të menjëhershme dhe konkrete për të siguruar se këto ngjarje nuk do të ndodhin në të ardhmen. Ne ngelemi çdo herë të hapur për bashkëpunim në zgjidhjen e kësaj situate dhe jemi të gatshëm të vazhdojmë me mbështetjen tonë të mbarëvajtshme me sportin nëse do të ndërmerren masa të nevojshme dhe të shpejta.
Me shpirt të lehtësuar, fatmirësisht, konstatojmë se nuk ka pasur të lënduar nga ky incident.
Ju falenderojmë për kohën dhe vëmendjen tuaj kundrejt kësaj çështjeje të rëndësishme!/IndeksOnline/