75 Mall Live Search
19:11 / E Mërkurë, 14 Shkurt 2024 / Gj. Sh

Bashkimi ”arrë e fortë” për Pejën, e eliminon nga Kupa e Kosovës

Bashkimi është skuadra e radhës e cila ka kaluar në gjysmëfinale të Kupës së Kosovë.

Në çerekfinale, skuadra prizrenase mposhti KB Pejën, me rezultat 73-64, në ndeshjen e cila u zhvillua në palestrën ”Shani Nushi” në Gjakovë, aty ku po zhvillohet “Final 8” i këtij sezoni, shkruan IndeksOnline.

Çereku i parë ishte kryesisht i baraspeshuar me prizrenasit që për një nuancë ishin më të mirë, megjithatë pejanët nuk lejuan shkëputjen dhe kjo pjesë e luftuar nga të dy skuadrat përfundon 14:16. Por, në periudhën e dytë, prizrenasit ishin më të mirë, duke pasur epërsi dy herë deri në 13 pikë, kurse në pushim shkuan me shifrat 26:36.

Kampionët e Kosovës rikthehen në periodën e tretë për të afruar rezultatin në dy pikë, kurse shifrat pas 30 minutash ishin 48:52. Në dhjetë minutat e fundit u zhvillua një luftë e madhe në parket e me rikthime, ku në momentet vendimtare Portokallezinjtë ishin më të mirë dhe fituan 64:73.

Basketbollisti më i mirë në parket ishte Erik Copes me 16 pikë e nëntë kërcime.

Bashkimi është skuadra e tretë gjysmëfinaliste pas, Trepçës dhe Golden Eagle Yllit.

Ndeshja e fundit çerekfinaliste e Kupës së Kosovës zhvillohet mes Sigal Prishtinës dhe Proton Cable Prizrenit, më fillim nga ora 20:00./IndeksOnline/