AAK e palëkundur, nuk e tërheqë nënshkrimin për shfuqizimin e Speciales
Deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nuk do ta tërheqin nënshkrimin e tyre për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Kështu ka bërë të ditur për “Indeksonline” deputeti nga radhët e kësaj partie, Blerim Kuçi.
Ai ka komentuar një deklaratë të kryeparlamentarit Kadri Veseli i cili është shprehur se “Gjykata Speciale është e dëmshme, por nuk mund të zhbëhet”.
Sipas Kuçit, Veseli e ka për obligim ta sjellë ligjin në Kuvend, pastaj do e vërtetojë nëse Specialja mund apo jo të zhbëhet.
“Po mendoj që kryetari i Kuvendit dhe Kryesia e kanë obligim ligjor me e sjellë në Kuvend, kjo është kërkesa. 40 nënshkrime kur të mblidhen, ai është i detyruar dhe i obliguar ta sjellë në Kuvend.
E çka do të ndodhë në Kuvend e si do të votohet, le ta provojë Kadri Veseli dhe i tregojmë qysh do të votohet. Unë nuk besoj që deputetët e AAK-së i tërheqin nënshkrimet. Detyrime ka Kryesia e Kuvendit me e sjellë në Kuvend.
Qëndrimet tona të Aleancës lidhur me këto tema janë të njëjta edhe para se me qenë Aleanca në pushtet, nuk kanë ndryshuar sepse kjo është shumë e dëmshme për Kosovën, andaj i kemi qëndrimet tona të pastra e të kthjellëta”, ka thënë ai.
I pyetur nëse mund të prishen marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kuçi fajtor për këtë situatë e ka lënë qeverinë e mëparshme. Ai ka thënë se keqmenaxhimi i qeverisë së kaluar e ka sjellë Kosovën dhe SHBA-në në pozitë të pa lakmuar.
“Atëherë nuk është menaxhuar kjo situatë mirë nga ata që kanë qenë në pushtet, por e di që tash çdoherë është edhe më vështirë, edhe më rëndë, por nuk besoj që prishen marrëdhëniet me SHBA-në, por gabimet tona janë në hapa. Kemi gabuar në proces dhe nuk është lehtë as për SHBA-në dhe as për neve që me e përmirësuar këtë gjendje. Është njëra prej proceseve shumë të dëmshme për Kosovën, jo për individë. Kjo është keq menaxhuar dhe i kemi detyruar, e i kemi sjellë në pozita të pa lakmueshme edhe miqtë tonë”, është shprehur ai.
Kuçi ka shtuar se Gjykata Speciale mund të mos jetë e dëmshme tani për tani, por ajo patjetër që do e dëmtojë Kosovën në proceset e saj të ardhshme integruese./Indeksonline/