75 Mall Live Search
09:53 / E Enjte, 30 Maj 2024 / MSH

Dhunimi i gruas te varrezat e Gjilanit, gjithçka po del të jetë inskenim dhe raportim i rremë

Policia në Gjilan ka ndaluar të dyshuarën N.R., nën dyshimin se e njëjta ka bërë “Lajmërim apo kallëzim të rremë” te organet e sigurisë.

E dyshuara, më 25 maj, pas mesnate, raportoi se derisa ishte duke ecur pranë varrezave të Gjilanit bashkë me djalin e saj, u ndalua nga dy persona të maskuar.

Sipas deklarimit që bëri e dyshuara, personat e maskuar, duke e kërcënuar, e tërhoqën brenda rrethojave të varrezave, ku e dhunuan seksualisht dhe ia grabiten me forcë stolitë e arit, raporton Indeksonline.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim të plotë me Njësinë e Hetimeve Rajonale në Gjilan, me qëllim të zbardhjes së këtij rasti kanë ndërmarrë veprime intensive hetimore, ku bazuar në provat e marra, deklarimet e palëve të përfshira në rast, raportet mjekësore nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, analizimit të shumë materialeve me video-incizime janë siguruar dëshmi se gjithë ngjarja ka qenë një inskenim dhe e njëjta ka raportuar rrejshëm me rastin e lajmërimit të saj në polici” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

E dyshuara është ndaluar për 48 orë, teksa organet e sigurisë pritet të marrin vendime të tjera mbi rastin.

Ky është njoftimi i plotë:

Prokuroria Themelore në Gjilan, ju njofton se në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Rajonale në Gjilan, pas hetimeve intensive ka ndaluar të dyshuarën N.R., për shkak të veprës penale ‘’Lajmërimi apo kallëzimi i rremë’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

E dyshuara e lartshënuar më datë 25 Maj 2024, rreth orës 00:56, ka raportuar se derisa kishte qenë duke ecur tek varrezat e qytetit në Gjilan së bashku me djalin e saj, ishte ndaluar nga dy persona të maskuar, të cilët nën kërcenim e kishin tërhequr brenda rrethojës së varrezave, ku pastaj sipas saj e kishin dhunuar seksualisht dhe ia kishin grabitur me forcë stolitë e arit.

Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim të plotë me Njësinë e Hetimeve Rajonale në Gjilan, me qëllim të zbardhjes së këtij rasti kanë ndërmarrë veprime intensive hetimore, ku bazuar në provat e marra, deklarimet e palëve të përfshira në rast, raportet mjekësore nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, analizimit të shumë materialeve me video-incizime janë siguruar dëshmi se gjithë ngjarja ka qenë një inskenim dhe e njëjta ka raportuar rrejshëm me rastin e lajmërimit të saj në polici.

Me urdhër të prokurorit e dyshuara gjendet në ndalim 48 orësh dhe ndaj të njëjtës brenda afatit ligjor do të vendoset rreth masës për sigurimin e pranisë në procedurë penale.