Isa Mustafa sot dërgohet jashtë vendit për trajtim shëndetësor
Ish kryeministri i vendit, Isa Mustafa pritet që sot të udhëtojë jashtë Kosovës lidhur me gjendjen e tij shëndetësore.
Lideri i LDK-së, Isa Mustafa ka qëndruar i shtrirë në spital që nga e mërkura e javës së kaluar.
Pas raportimit për dërgimin e tij në spital, nga LDK ishin deklaruar se ka të bëjë me një grip sezonal, gjë që del të mos jetë e saktë.
Gjatë natës së kaluar Indeksonline ka raportuar së pari se Mustafa do të udhëtojë sot jashtë vendit për të kryer disa kontrolle dhe në mënyrë që të rehabilitohet për disa ditë.
Udhëtimin e tij jashtë vendit, Indeksonline e ka mësuar nga burime të afërta të familjes të cilët kanë thënë se nuk ka vend për shqetësime dhe se bëhet fjalë për diçka krejtësisht normale.
Madje sipas deputetit Ismet Beqiri, Mustafa është mjaft mirë dhe së shpejti do të deklarohet para mediave për gjendjen e tij shëndetësore.
Ndër të tjerash këshilltari i tij i lartë, Besnik Berisha ka thënë për Indeksonline se gjendja e Mustafës është në përmirësim e sipër.
“Dje personalisht e kam vizituar Mustafën dhe mund t’ju njoftoj se gjendja shëndetësore e tij, tashmë është në përmirësim e sipër dhe se trajtimi i tij është duke shkuar mjaft mire. Është planifikuar qe në ditët në vijim të kryhen dhe disa ekzaminime të cilat ka mundësi që do të bëhen jashtë shtetit dhe Mustafa pritet qe shpejt t’i kthehet punës dhe aktiviteteve të tij të përditshme politike dhe jo vetëm”, ka thënë Berisha.
Gjithashtu nga Qeveria e Kosovës janë shprehur të shqetësuar për gjendjen shëndetësore të Isa Mustafës duke shprehur kështu gatishmërinë që të ofrojnë të gjithë ndihmën institucionale për shërimin e tij./Indeksonline/
Qeveria e Kosovës: Ofrojmë gjithë ndihmën institucionale për shërimin e Mustafës