Sveçla rendit dështimet e Serbisë në destabilizim të Kosovës

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë një listë me disa pika që, sipas tij, janë tentativa të dështuara të Serbisë për të destabilizuar Kosovën.
Sipas Sveçlës, Serbia po synon të intensifikojë agresivitetin e luftës speciale kundër Kosovës, teksa shtetin serb e quan “shkollë ruse”, shkruan Indeksonline.
“Dështimet e njëpasnjëshme të përpjekjeve destabilizuese, kanë acaruar Vuçiq-in, Vuçeviçin, Vulinin, Radojçiq-in, të cilët të dëshpëruar, po synojnë ende që “shkollën ruse” për destabilizim, ta implementojnë në rajon” shkroi Sveçla.
Sipas tij, Serbia ka dështuar të arrijë qëllimet politike përmes barrikadave ën veri, ka dështuar me sulmin terorrist në Banjskë, ka dështuar në destabilizim përmes trafikimit masiv të armëve në komunat veriore të Republikës së Kosovës, e kështu me radhë.
Ky është postimi i plotë i tij:
SERBIA NË PANIK, “SHKOLLA RUSE” PËR DESTABILIZIM TË KOSOVËS DHE RAJONIT PO DËSHTON
Serbia po synon që të intensifikojë agresivitetin e luftës speciale kundër Kosovës duke kombinuar propagandën, operacionet subversive, ofensivën diplomatike përmes metodave të luftës hibride, sipas shkollës ruse.
Dështimet e njëpasnjëshme të përpjekjeve destabilizuese, kanë acaruar Vuçiq-in, Vuçeviçin, Vulinin, Radojçiq-in, të cilët të dëshpëruar, po synojnë ende që “shkollën ruse” për destabilizim, ta implementojnë në rajon.
Dështuan në:
1. Arritjen e qëllimeve politike përmes barrikadave në veri;
2. Sulmin paramilitar/terrorist në Banjskë;
3. Synimet për të nxitur trazira dhe konflikte në komunat në veri, përmes luftës hibride, lajmeve të rreme, inskenimeve dhe fushatave propaganduese;
4. Synimet për të mbrojtur grupet e strukturuara kriminale, për qëllime politike dhe financiare/pastrimin e parave, kultivimin e drogave, trafikimin e armëve;
5. Destabilizimin e Kosovës dhe rajonit përmes trafikimit masiv të armëve në komunat në veri të Kosovës;
6. Synimet e vazhdueshme për inskenim të incidenteve ndaj serbëve (në jug), për ta fajësuar Kosovën, përmes:
➢ Strukturave të sigurisë së Serbisë;
➢ Shfrytëzimit të individëve me orientim radikal (fetar); dhe
➢ Grupeve kriminale në rajon;
7. Fushatat e orkestruara për kinse ‘spastrimin etnik’, ‘krizën humanitare’, ‘sulmet ndaj serbëve’, kërcënimin nga ‘sundimi i ligjit dhe lëvizja e lirë’;
8. Presionet e vazhdueshme ndaj qytetarëve të Kosovës pa dallim, me theks të veçantë ndaj qytetarëve serb, përmes represionit të shtetit, strukturave të sigurisë dhe grupeve terroriste/kriminale;
9. Së fundmi, bllokimi i pikave kufitare përmes grupeve ekstremiste, radikale dhe terroriste, të sponsorizuara nga shteti.
Lista e dështimeve të tyre është e gjatë dhe do të vazhdojë të rritet, deri sa ta kuptojnë përfundimisht, që sovraniteti i Kosovës nuk mund të cënohet, orientimi Euro-Atlantik i rajonit, nuk ka kthim.