Arrestohet kosovari që bënte dallavere me viza të shteteve afrikane

Në Viti është arrestuar dje një person për dallavere me viza të shteteve afrikane.
Ai ishte raportuar në korrik ngase dyshohej se në mënyrë të paligjshme kishte tentuar t’i pajiste me viza 58 persona nga shtetet afrikane.
“Pas hetimeve të zhvilluara, më 10.10.2024, është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se i njëjti dyshohet se në mënyrë të paligjshme ka tentuar t’i pajisë me viza 58 persona nga shtetet afrikane. Gjatë kontrollit nga i dyshuari në cilësi të provave materiale janë sekuestruar dy telefona celularë, një kompjuter, një USB, dokumente dhe kopje të ndryshme të pasaportave si dhe dëshmi të transaksioneve bankare. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt” thuhet në njoftimin e policisë./Indeksonline/