Dogjen një veturë në Ferizaj, policia arreston dy të mitur

Dje rreth orës 03:25 Policia në Ferizaj u njoftua se pranë “Village Shopping & Fun” një veturë ishte kapluar nga zjarri.
Teksa ekipet policore kanë nisur hetimet, zjarrfikësit kanë shuar zjarrin, transmeton IndeksOnline.
Nga hetimet e para, dyshohet se dy persona të maskuar i kanë vënë zjarrin veturës dhe ishin larguar në drejtim të panjohur. Dëmet e shkaktuara në veturë ishin rreth 20 mijë euro.
“Pas një pune intenzive hetimore në terren, shikimit të kamerave të sigurisë, hetuesit rajonal kanë arritur të identifikojnë dy persona të dyshuar: M.B., 16-vjeçar dhe A.Z., 17-vjeçar, të cilët sot janë arrestuar dhe shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj” thuhet në njoftim të policisë.
Në prezencë të avokatit mbrojtës, përfaqësuesit të Qendrës për Punë Sociale dhe prindërve të tyre janë intervistuar nga hetuesit rajonal, ndërsa me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar në mbajtje për 24 orë për procedura të mëtejme hetimore.
“Gjithashtu është sekuestruar edhe një motoçikletë që dyshohet se është përdorur në rastin e zjarrëvënies. Kurse në kërkim policor mbetet një person tjetër, i dyshuar për cytje në këmbim të parave të zjarrëvënies së veturës” thuhet tutje në njoftimin e policisë.