75 Mall Live Search
20:33 / E Enjte, 12 Dhjetor 2024 / Z S

ShBA-ja njofton se Liridon Masurica është i arrestuari në aksionin e sotëm në Kosovë

Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike në bashkërendim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, pas veprimeve hetimore disa mujore, ka zbatuar urdhëresën e Gjykatës me ç’rast janë zhvilluar kontrolle në dy lokacione të ndryshme, në Prishtinë dhe Gjilan.

Nga këto dy raste (RYDOX dhe BlackDB), të hetuara në bashkëpunim me autoritetet e ShBA-së (Prokurorinë dhe Byronë Federale të Hetimeve – FBI), si dhe me autoritetet e Shqipërisë, janë arrestuar tre persona, raporton Klankosova.tv.

Të arrestuarit dyshohen se kishin qëllim përfitimin e kundërligjshëm të dobisë pasurore, të cilët dyshohen se kanë themeluar dhe udhëhequr për disa vite tregun kriminal online “RYDOX” si dhe atë “BlackDB”.

E për rastin ka njoftuar edhe Departamenti Amerikan i Drejtësisë (DAD).

Në njoftim thuhet se në mesin e të arrestuarve është Liridon Masurica 33-vjeç nga Gjilani, i njohur gjithashtu si “@blackdb”.

“Prokurori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Roger B. Handberg njofton ngritjen e aktakuzës dhe arrestimin e Liridon Masuricës (33-vjep, Gjilan, Kosovë), një shtetas i Kosovës i njohur gjithashtu si ‘@blackdb’. Masurica është marrë sot në paraburgim nga autoritetet në Kosovë. Autoritetet amerikane po kërkojnë ekstradimin e Masuricës në Shtetet e Bashkuara, në bazë të traktatit të ekstradimit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e DAD./Indeksonline/