75 Mall Live Search
09:37 / E Diele, 12 Janar 2025 / Gj. Sh

Golat e pësuar nga Liverpuli, Slot: Nuk është faji i Arnoldit

Trajneri i Liverpulit, Arne Slot, thotë se ai sheh modele të ngjashme në golat që pëson skuadra e tij, por ato nuk i përkasin mbrojtësit të djathtë Trent Aleksander-Arnold. Mbrojtësi i djathtë u kritikua shumë pas barazimit 2-2 të “Reds”-ave me Manchester United të dielën.

Junajtid shënoi golin e parë përmes Lisandro Martinezit me një sulm nga krahu i djathtë i Liverpulit dhe i dyti erdhi nga Amad Dialo pasi finalizoi një krosim nga e djathta. Sipas statistikave të “Opta”, kundërshtarët e Liverpulit i bëjnë 44% të prekjeve të tyre në të tretën e majtë të zonës së sulmit, pra në krahun e djathtë të Liverpulit, duke e bërë këtë përqindjen më të lartë në Premier Ligë. Përqindja e rasteve të kundërshtarëve nga e djathta e Liverpulit është 35.7% ndërsa është 38.1% nga e qendra dhe 26.2% nga e majta.

“Unë shoh një model të caktuar në golat që pësojmë, por nuk e shoh që modeli të ketë të bëjë me Trent, aspak,” tha Slot në konferencën përpara ndeshjes së Kupës FA. “Trent ka pasur një ndeshje të vështirë për ne (në barazimin 2-2 të së dielës me Mançester Junajtid në Anfield) dhe disa ndeshje që ndoshta ishte pranë të pranueshmes. Kryesisht, ai ka pasur ndeshje të shkëlqyera kur ka luajtur për ne këtë sezon.”

Mbrojtësit, të cilit i skadon kontrata në verë dhe është lidhur me një transferim te Reali i Madridit, hyri si zëvendësues pas një ore në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës Karabao të Liverpulit në Totenhem. “Unë e di se ka shumë përqendrim tek ai për momentin, por do të doja të theksoja gjithashtu se sa mirë bëri ai kur hyri në lojë në 30 minutat e fundit (kundër Totenhemit në Kupën Karabao të mërkurën) dhe si tifozët reaguan ndaj tij. Kjo ishte ajo që më kënaqi edhe më shumë gjatë asaj ndeshje”.

Holandezi komentoi edhe rivalët e sotëm të Akringtonit, që militojnë në Ligën e Dytë: “Mendoj se çdo skuadër që luan kundër nesh është një rast i veçantë, por veçanërisht për një ekip të ligës së ulët. Ata do të jenë të gatshëm për këtë, ata e kanë pritur me padurim këtë ndeshje për shumë javë”.