Remi: Dëshmorët na obligojnë të jemi të bashkuar gjithmonë (Foto)
(I plotësuar)- Komandanti Rrustem Mustafa- Remi tha se liria që gëzojnë sot u ka kushtuar shumë, duke rënë në detyrë komandantë e ushtarë të shumtë.
“Heronjtë që po përkujtojmë sot dhanë jetën për lirinë e atdheun që ne të jetojmë të lirë, të pavarur dhe të barabartë me të tjerët, të mbajmë miqësinë me SHBA-të që ishin mbështetësit tanë më të mëdhenjtë”, tha Remi, raporton Indeksonline.
Ai shtoi se Zahir Pajaziti ishte komandant tipik i UÇK-së në luftën kundër armikut.
“Ai diti të identifikonte kokat e sistemit që ishin kriminal dhe okupator, duke goditur aty ku u dhimbstë armikut më së shumti. Ai ishte strateg dhe kishte aftësi të krijonte njësi si dhe të luftonte gjithmonë në front. Sot fal këtij burri dhe shokëve të tij, Kosova dhe shqiptarët janë të lirë”, ka thënë Remi.
……………………………………..
LIVE/ Veliu: Shtatoret e vendosura sot duhet të na shërbejnë si udhërrëfyes për të ardhmen tonë
(I plotësuar)- Kryetari i Podujevës, Agim Veliu ka thënë me rastin e zbulimit të shtatorëve të tre dëshmorëve se dy vite pas rënies së tyre, të skalitur në shtatore u kthyen aty nga ku nisën aksionin.
“Sot ata janë më të mëdhenj dhe më madhështorë se kurrë në mesin tonë në qendër të qytetit të Podujevës. Bashkë në kuvend propozuam që kjo hapësirë të emërohet sheshi i Dëshmorëve dhe të vendosen shtatoret e tyre. Pas pak ditësh do të vije edhe shtatorja e Ali Ajetit që do të vendoset me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Veliu, raporton Indeksonline.
Sipas tij, sot dëshmorët kujtohen me ndjenjën e krenarisë dhe ua kujtojnë lirinë që po e gëzojnë qytetarët.
“sot përkujtojmë gjithë ato gra e burra që ranë në mënyrë që pasardhësit sot të gëzojnë lirinë dhe pavarësinë. Shtatoret e vendosura sot duhet të na shërbejnë si udhërrëfyes për të ardhmen tonë. Heronjtë me veprën e tyre na frymëzojnë të duam atdheun tonë. Sot kur jemi të lirë e të pavarur, Kosova nuk ka nevojë të vdesim për të siç bënë këta heronjë. Rënia në altarin e lirisë është sakrifica më e madhe që mund të bëj një njeri”, ka theksuar Veliu.
Ai ka shtuar se këto shtatore do të shërbejnë si përkujtues që sa herë të ndjehen të dobët të gjejnë forcë, siguri dhe frymëzim nga veprat e heronjve.
…………………………………………….
LIVE Podujeva zbulon shtatoret e Pajazitit, Konushevcit e Hoxhës (Foto)
Sot në Podujevë ka nisur ceremonia e zbulimit te shtatoreve të dëshmorëve Edmond Hoxha, Hakif Zejnullahu, Zahir Pajaziti dhe Ilir Konushevci.
Shtatoret janë vendosur në Sheshin e Dëshmorëve në Podujevë, shkruan Indeksonline.
Dëshmorët Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, kanë rënë heroikisht më 31 janar të vitit 1997 në Pestovë të Vushtrrisë, në një pritë të organizuar nga policia dhe njësitë tjera të armikut serb. /Indeksonline/