12:31 / E Premte, 02 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Rockets të pandalshëm me Harden, për Thunder s’mjaftojnë 43 pikët e Paul George

James Harden sërish protagonist në radhët e Houston Rockets, që vazhdon të jetë forcë e dytë në Konferencën e Perëndimit në NBA. Pasi hyri në histori si basketbollisti i vetëm që arrin kuotën e 60 pikëve në një ndeshje me “triple double”, “Mjekrra” udhëhoqi skuadrën e tij drejt fitores 91 – 102 në “AT&T Center” përballë San Antonio Spurs, duke realizuar 28 pikë dhe 11 asiste. Rockets nxorrën në pah vështirësitë e Spurs në fazën mbrojtëse, falë edhe mungesës së Kawhi Leonard.

Ndodh gjithçka në sekondat e fundit të sfidës mes Denver Nuggets dhe Oklahoma City Thunder, që u mbyll 127 – 124. Në periodën e fundit miqtë arritën të rikuperonin 12 pikë dhe të barazonin shifrat 124 – 124 falë një trepikëshi të Paul George, që shënoi në mënyrë të pabesueshme 43 pikë në total, por në çastin që do të binte sirena për përfundimin e ndeshjes, Gary Harris shënon koshin e fitores, duke bërë të shpërthente “Pepsi Center”. Për Thunder kjo ishte disfata e dytë radhazi pas 8 fitoreve të njëpasnjëshme.

Një finale “dhëmb për dhëmb” edhe në kryeqytet, ku Washington Wizards arriti të mposhtte me vetëm tri pikë diferencë, 122 – 119 Toronto Raptors. Në “Capital One Arena” plot 8 basketbollistë të Wizards realizuan shifra të dyfishta, duke e bërë të paflefshme paraqitjen e Kyle Lowry, që shëno 29 pikë, dha 5 asiste dhe kontrolli 5 topa poshtë koshit për Raptors.

Fitore e ngushtë edhe për Detroit Pistons, që iu imponua 104-102 Memphis Grizzlies, sfidë ku spikati Griffin me 24 pikë dhe 10 rikuperime, ndërsa Minnesota Timberwolves dominoi 108-89 ndaj Milwaukee Bucks me Jimmy Butler që e mbylli takimin me statistikat më të mira: 28 pikë, 6 asiste dhe 4 rikuperime.