75 Mall Live Search
11:48 / E Enjte, 05 Qershor 2025 / mp

Gashi: Zgjedhjet mund të jenë zgjidhje, por KQZ-ja ka dështuar në menaxhimin e procesit

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka deklaruar se bllokimi i Kuvendit të Kosovës po dëmton rëndë reputacionin e institucionit dhe të politikës në përgjithësi, duke theksuar se mungesa e vullnetit politik po pengon gjetjen e një zgjidhjeje për situatën aktuale.

“Munden me bë sakrifica më të vogla, me qenë më zemërgjerë dhe me u hap mundësinë që të zhbllokohet kuvendi duke pezulluar kandidatë tjerë dhe me zgjedhë problemin. Po mungon vullneti politik për të gjetur një zgjidhje dhe fatkeqësisht kjo mungesë po e dëmton jashtëzakonisht rëndë reputacionin e Kuvendit dhe të politikës në përgjithësi”, tha Gashi.

Ai la të hapur mundësinë që zgjedhjet të jenë një nga opsionet për tejkalimin e krizës politike, por theksoi vështirësitë që do të sillte një proces i tillë.

“Mund të vimë edhe në atë situatë kur zgjedhjet janë zgjidhje. Zgjedhjet janë gjithmonë zgjidhje në demokraci dhe politikë nëse partitë politike dakordohen, patjetër që duhet të mbahen. Por zgjedhjet do të jenë shumë të komplikuara, problematike me menaxhimin nga KQZ-ja. KQZ-ja ka dështuar të menaxhojë zgjedhjet e fundit dhe mendoj që do të jetë e pamundur që të menaxhohen dy palë zgjedhje”, deklaroi deputeti i LDK-së.