75 Mall Live Search
10:18 / E Shtunë, 21 Qershor 2025 / FR

22 persona të dyshuar për spiunazh për Izraelin arrestohen në Iran

Autoritetet policore në provincën Qom të Iranit kanë njoftuar të shtunën arrestimin e 22 personave, të cilët dyshohen se kanë lidhje me shërbimet e spiunazhit të Izraelit, raporton agjencia shtetërore Fars.

Sipas këtij raportimi, të arrestuarit janë ndaluar në periudhën nga 13 qershori deri më sot dhe akuzohen për veprime që kanë për qëllim destabilizimin e opinionit publik dhe bashkëpunimin me një shtet armik.

“22 persona janë identifikuar dhe arrestuar me akuzat për lidhje me shërbimet e spiunazhit të regjimit zionist, tronditje të opinionit publik dhe mbështetje për regjimin kriminal”,
thuhet në raportimin e Farsit, duke cituar kreun e inteligjencës së policisë në provincën Qom.

Ky zhvillim pason njoftimin e mëhershëm të policisë iraniane për arrestimin e 24 personave të tjerë, të cilët akuzohen po ashtu për spiunazh për Izraelin dhe për përpjekje për ta njollosur imazhin e vendit.

Ndër të arrestuarit, sipas mediave iraniane, gjendet edhe një shtetas evropian, por nuk janë dhënë detaje rreth kombësisë apo datës së arrestimit.

Ndërkohë, Organizata Norvegjeze “Iran Human Rights” ka reaguar duke njoftuar se të paktën 223 persona janë arrestuar në të gjithë vendin kohëve të fundit, nën akuza për bashkëpunim me Izraelin.

Kjo organizatë ka paralajmëruar se “shifra reale mund të jetë edhe më e lartë”, duke ngritur shqetësime për numrin në rritje të arrestimeve të kësaj natyre në Iran.