Rama: Nuk është sulm ndaj sipërmarrësve – hapësirat publike do t’u kthehen njerëzve

Kryeministri Edi Rama ka sqaruar përmes një lidhje “live” në rrjetet sociale se fushata për lirimin e hapësirave publike në Tiranë nuk është një sulm ndaj biznesit të vogël, por një nismë për të kthyer hapësirat e përbashkëta tek qytetarët.
“Nuk bëhet fjalë për ndërtime me tulla e llaç, por për struktura të çmontueshme që kanë zënë hapësira të përbashkëta. Ka mirëkuptim, por edhe raste ku ndërhyrja nuk ndodh vullnetarisht”, tha Rama.
Ai theksoi se qeveria po përgatit një rregullore të re, që do të përcaktojë qartë “hapësirat e lirisë” për njësitë tregtare, por pa i tejkaluar kufijtë e hapësirës publike.
“Po përgatisim një rregullore që do të vendosë qartë hapësirat e lirisë, do ketë hapësirë edhe për njësitë tregtare, por pa kapërcyer hapësirën publike. Teknologjia do të na ndihmojë në këtë fazë”, tha kryeministri.
Rama shtoi se janë identifikuar rreth 1800 pika që duhet të çlirohen dhe se kjo nismë do të shtrihet më tej, duke përfshirë IMT-në dhe policitë bashkiake në strukturat e kontrollit të territorit.