75 Mall Live Search
22:10 / E Premte, 12 Shtator 2025 / MSH

Vllasi, pas vendimit të SHBA-së: Është koha e fundit që klasa politike të zgjohet!

Analisti i njohur politik, Azem Vllasi, ka komentuar vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të pezulluar bashkëpunimin strategjik me Republikën e Kosovës.

Në një prononcim për IndeksOnline, Vllasi u shpreh se ky vendim tregon më së qarti se në çfarë “gjendje të mjerueshme” klasa politike në vend e ka sjellë Kosovën.

“Ashtu si ishte vendimtar roli i SHBA-së për luftën tonë çlirimtare dhe për çlirimin e Kosovës, si dhe për shpalljen e shtetit, aq i rëndësishëm është roli saj në mbrojtjen, stabilitetin dhe vet ekzistencën e Kosovës si shtet” deklaroi Vllasi.

Analisti vlerëson se ftohja e marrëdhënieve me SHBA-në rrezikon sigurinë e Kosovës, prandaj ka një thirrje për udhëheqësit politikë të vendit.

“Ftohja e marrëdhënieve me SHBA-në rrezikon sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin normal të Kosovës. Prandaj, është koha e fundit që klasa politike të zgjohet dhe të mendojë se kah janë duke e drejtuar Kosovën. Vetëm Serbia dhe Rusia i gëzohen ftohjes së marrëdhënieve tona me SHBA-në” shtoi Vllasi.

Pasditën e sotme, Ambasada e SHBA-së në Kosovë njoftoi zyrtarisht që Amerika ka pezulluar deri në një afat të pacaktuar bashkëpunimin strategjik me vendin tonë, duke e arsyetuar me shqetësimet në lidhje me veprimet e qeverisë së përkohshme.

Sipas Ambasadës, veprimet e qeverisë në detyrë, në krye me Albin Kurtin, kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta.

Dialogu strategjik kishte për qëllim forcimin e lidhjeve ekonomike dhe diplomatike në dobi të popullit amerikan dhe atij kosovar./IndeksOnline/